| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Gjykata Supreme e Norvegjisë anulon lejet për tri vendburime të naftës dhe gazit në Detin e Veriut
Vendimi e detyron qeverinë të rivlerësojë ndikimin klimatik të emetimeve që krijohen nga djegia e lëndëve djegëse fosile të nxjerra.
Gjykata Supreme e Norvegjisë anulon lejet për tri vendburime të naftës dhe gazit në Detin e Veriut
Gjykata Supreme e Norvegjisë anulon lejet për tri vendburime të naftës dhe gazit në Detin e Veriut / َAA

Gjykata Supreme e Norvegjisë la në fuqi të premten një vendim që shpall të pavlefshme miratimet qeveritare për tri vendburime të naftës dhe gazit në Detin e Veriut, për shkak të vlerësimeve të pamjaftueshme të ndikimit në mjedis, raportoi transmetuesi NRK.

Çështja u ngrit nga organizatat mjedisore Greenpeace dhe Nature and Youth, të cilat kundërshtuan miratimet për zhvillimin dhe shfrytëzimin e vendburimeve Tyrving, Breidablikk dhe Yggdrasil.

Organizatat argumentuan se autoritetet nuk e kishin vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme ndikimin klimatik të emetimeve që krijohen nga djegia përfundimtare e naftës dhe gazit të nxjerrë nga këto vendburime.

Gjykata Supreme vendosi se vlerësimet e ndikimit në mjedis duhet t’i përfshijnë edhe emetimet që krijohen nga djegia e lëndëve djegëse fosile të nxjerra, përfshirë ato që çlirohen jashtë territorit të Norvegjisë, si dhe të vlerësojnë kontributin e tyre në ngrohjen globale.

Ajo vendosi gjithashtu se vlerësimet duhet të marrin parasysh emetimet kumulative nga projektet e tjera të naftës dhe gazit, ekzistuese dhe të miratuara, në shelfin kontinental norvegjez. Kjo kërkesë u miratua me shumicë prej gjashtë votash kundrejt pesë.

Vendimi e detyron qeverinë norvegjeze të rivlerësojë miratimet, por nuk e pezullon automatikisht prodhimin në këto vendburime.

Shteti u urdhërua gjithashtu t'u paguajë Greenpeace dhe Nature and Youth më shumë se 5 milionë korona norvegjeze (rreth 500 mijë dollarë) për shpenzimet ligjore.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë