| Albanian
KLIMA
2 minuta leximi
Përmbytjet në ishullin Sumatra të Indonezisë, mbi 200 të vdekur dhe 42 të zhdukur
Shumë zona të prekura vazhdojnë të jenë të paarritshme dhe autoritetet kanë shprehur shqetësimet se numri i viktimave mund të rritet.
Përmbytjet në ishullin Sumatra të Indonezisë, mbi 200 të vdekur dhe 42 të zhdukur
Përmbytjet në ishullin Sumatra të Indonezisë, mbi 200 të vdekur dhe 42 të zhdukur / Reuters
29 Nëntor 2025

Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në ishullin indonezian Sumatra kanë shkaktuar të paktën 200 të vdekur dhe 42 persona të zhdukur, njoftoi të premten Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive (BNPB).

Shefi i BNPB-së, Suharyanto, tha se Sumatra e Veriut është provinca më e prekur. Ndërsa operacionet e reagimit ndaj fatkeqësisë kanë hyrë në ditën e katërt, kërkimet vazhdojnë të pengohen nga terreni i vështirë, rrugët e dëmtuara dhe kushtet e pafavorshme të motit.

“Deri më sot, kemi regjistruar mbi 200 viktima dhe 42 persona ende të zhdukur”, tha Suharyanto në një konferencë për media të transmetuar në kanalin e BNPB-së YouTube, sipas “Jakarta Globe”, e cila raportoi gjithashtu se mijëra persona janë zhvendosur për shkak të motit të rëndë.

Shumë zona të prekura vazhdojnë të jenë të paarritshme dhe autoritetet shqetësohen se numri i viktimave mund të rritet.

“Ende ka vende ku nuk kemi mundur të hyjmë dhe ku treguesit për viktima të tjera janë mjaft të fortë”, paralajmëroi ai.

Ekipet e kërkim-shpëtimit po operojnë nga toka dhe ajri, megjithëse terreni i vështirë po e pengon përdorimin e makinerive të rënda.

Komunikimi me autoritetet lokale vazhdon për të siguruar përditësime mbi viktimat dhe për t’i adresuar nevojat kritike logjistike.

Zyrtarët u kanë bërë thirrje qeverive rajonale që ta përshpejtojnë ngritjen e stacioneve mjekësore dhe kuzhinave publike në qendrat më të mëdha të evakuimit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë