OKB-ja: Izraeli ka pezulluar lëvizjet humanitare drejt Gazës
“Është e domosdoshme që të gjitha pikat kufitare të rihapen sa më shpejt të jetë e mundur”, tha zëdhënësi i OKB-së.
OKB-ja bëri të ditur të hënën se Izraeli ka mbyllur të gjitha pikat kufitare drejt Rripit të Gazës dhe ka pezulluar lëvizjet humanitare në dhe pranë zonave ku forcat izraelite mbeten të dislokuara.
“Autoritetet izraelite kanë mbyllur të gjitha pikat kufitare, përfshirë Rafah, dhe kanë pezulluar lëvizjet humanitare në dhe pranë zonave ku trupat izraelite mbeten të dislokuara në Gaza. Gjithashtu kanë shtyrë rotacionin e planifikuar të personelit tonë humanitar”, deklaroi zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, në një konferencë për media.
“Evakuimet mjekësore dhe kthimi i njerëzve në Gaza janë pezulluar gjithashtu si pasojë”, tha Dujarric, duke theksuar se njerëzit në Gaza varen nga dërgesat e vazhdueshme të ndihmës.
“Njerëzit në Gaza, siç e dini, varen nga një fluks i qëndrueshëm i mallrave humanitare dhe tregtare nga jashtë. Duke pasur parasysh kapacitetin e kufizuar të magazinimit dhe shkatërrimin në këtë zonë të goditur nga lufta, ne dhe partnerët tanë kemi punuar fort për të ruajtur një rrjedhë të qëndrueshme dhe të parashikueshme furnizimesh, pavarësisht kufizimeve të vazhdueshme, por kjo nuk mund të vazhdojë nën një bllokadë të plotë”, u shpreh ai.
“Është e domosdoshme që të gjitha pikat kufitare të rihapen sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.
Në Bregun Perëndimor të pushtuar, Dujarric tha se forcat izraelite kanë mbajtur të mbyllura shumicën e pikave të kontrollit, duke kufizuar lëvizjen mes qyteteve dhe guvernorateve palestineze dhe duke kufizuar qasjen në mjete jetese dhe shërbime.
“E drejta ndërkombëtare humanitare është e qartë. Siç e themi çdo ditë dhe shpesh, shumë herë në ditë, civilët duhet të mbrohen dhe nevojat e tyre thelbësore duhet të përmbushen, përfshirë përmes hyrjes, lëvizjes dhe shpërndarjes së papenguar të ndihmës humanitare”, tha zëdhënësi.
Të shtunën në mëngjes, ShBA-ja dhe Izraeli nisën një sulm të përbashkët ndaj Iranit, duke pretenduar se synonte eliminimin e “kërcënimeve” të paraqitura nga “regjimi” iranian. Në përgjigje, Irani goditi Izraelin dhe bazat amerikane në rajon me raketa dhe dronë.
Izraeli shpalli një “gjendje të veçantë dhe të menjëhershme emergjence” në të gjithë vendin.