Kryediplomati i RMV-së, Mucunski në Uashington thekson partneritetin me ShBA-në dhe integrimin në BE
Ai gjithashtu është ndalur te përpjekjet për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, përfshirë iniciativat aktuale për thellimin e marrëdhënieve tregtare bilaterale me ShBA-në.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Uashington ka marrë pjesë dhe ka mbajtur fjalim në një ngjarje të organizuar nga Këshilli Atlantik, e cila ishte e fokusuar në prioritetet transatlantike të Maqedonisë së Veriut.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në fjalimin e tij, Mucunski ka theksuar prioritetet kryesore të politikës së jashtme të shtetit, duke vënë në pah përkushtimin ndaj forcimit të partneritetit strategjik me ShBA-në si dhe rolin aktiv të vendit si partner i besueshëm i sigurisë brenda NATO-s dhe rajonit.
Ai gjithashtu është ndalur te përpjekjet për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, përfshirë iniciativat aktuale për thellimin e marrëdhënieve tregtare bilaterale me ShBA-në.
Në kontekstin e integrimit evropian, Mucunski ka riafirmuar përkushtimin strategjik të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke përmendur sfidat e lidhura me çështjet bilaterale dhe duke theksuar nevojën për një proces të besueshëm dhe të parashikueshëm të zgjerimit.
Po ashtu, janë theksuar prioritetet për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor si dhe rëndësia e partneritetit transatlantik në përballimin e sfidave bashkëkohore të sigurisë dhe gjeopolitikës.
Ngjarja u zhvillua në kuadër të iniciativës “Balkans Forward” të Këshillit Atlantik me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga sektori politik, akademik dhe analitik.