Republika Turke e Qipros Veriore të mërkurën shprehu “shqetësim të madh” për një marrëveshje të planifikuar për statusin e forcave mes Administratës Qipriote Greke dhe Francës, duke theksuar se ajo “nuk ka vlefshmëri” për palën turke qipriote.
Në një deklaratë të shpërndarë në X, Ministria e Jashtme e RTQV-së tha se marrëveshja, e cila pritet të nënshkruhet në qershor, përfshin vendosjen e elementeve ushtarake franceze në ishullin e Qipros, zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes mes Francës dhe Qipros greke, ndarjen e teknologjisë, aktivitetet e trajnimit ushtarak dhe mbështetjen logjistike për objektet ushtarake.
Ajo paralajmëroi se një marrëveshje e tillë do të ndikonte negativisht në përpjekjet për të vendosur stabilitet në rajon përmes bashkëpunimit dhe dialogut.
“Këto lloj marrëveshjesh ushtarake, nën petkun e qëllimeve humanitare, synojnë të rrisin kapacitetin ushtarak të Administratës Qipriote Greke, shpërfillin të drejtat sovrane të barabarta të popullit turk qipriot dhe hedhin bazat për tensione si mes dy palëve në ishull, ashtu edhe në nivel rajonal”, thuhet në deklaratë.
Ministria theksoi gjithashtu se Administrata Qipriote Greke nuk ka autoritet ta përfaqësojë popullin turk qipriot apo ishullin në tërësi.
Duke e cilësuar këtë hap si një tjetër tregues të qëndrimit të pakompromis të Administratës Qipriote Greke, deklarata ritheksoi se marrëveshja nuk ka asnjë vlefshmëri për RTQV-në dhe popullin turk qipriot.
Ajo shtoi se politikat që shpërfillin të drejtat e turqve qipriotë theksojnë edhe një herë rëndësinë e “garancisë efektive dhe aktive” të Türkiyes, duke rikonfirmuar vendosmërinë për të thelluar bashkëpunimin në mbrojtje me Ankaranë për ta garantuar sigurinë.
















