Ministri Hoxha: Fazë e re bashkëpunimi me diasporën si partner për Shqipërinë 2030
Në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, Hoxha ka theksuar se në prag të Samitit të katërt të Diasporës, ka pasur një bashkëbisedim të hapur, të gjallë dhe energjik.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se do të ketë një fazë të re bashkëpunimi me diasporën si partner për Shqipërinë 2030.
Ministri Hoxha ka zhvilluar takim me Këshillin Koordinues të Diasporës, në prag të Samitit të Diasporës Shqiptare.
Në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, Hoxha ka theksuar se në prag të Samitit të katërt të Diasporës, ka pasur një bashkëbisedim të hapur, të gjallë dhe energjik me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës.
"Në këtë takim të parë, njohës por edhe përmbajtësor, shpreha vlerësimin dhe mirënjohjen time për angazhimin e secilit në këtë marrëdhënietë veçantë, të ndërtuar mbi një vizion të përbashkët. Së bashku ramë dakord për të çelur një fazë të re në riorganizimin e këtij mekanizmi jetik, me objetiva të qartë për një bashkërendim më të mirë të aktiviteteve dhe një agjendë vjetore konkrete në funksion të prioriteteve madhore", ka shkruar Hoxha.
Sipas kryediplomatit shqiptar, në fokus ishte Shqipëria 2030 dhe fuqizimi i diasporës si partner i pazëvendësueshëm, në mësimin dhe promovimin e gjuhës shqipe, përfshirjen në zhvillimin ekonomik e shoqëror, partneritetin me biznesin dhe promovimin e vlerave tona kulturore në botë.
"Me përfaqësues të spikatur dhe profesionistë dinjitozë nga e gjithë bota, kemi një mundësi reale për t’i forcuar lidhjet me rrënjët dhe për ta kthyer potencialin e diasporës në vlerë konkrete për Shqipërinë. Së bashku, për më shumë koordinim, më shumë veprim dhe rezultate të prekshme", ka theksuar Hoxha.
Samiti i Diasporës Shqiptare do të mbahet në Tiranë më 13-15 prill.