Ministri i Mbrojtjes së Türkiyes, Yaşar Güler, dhe homologu i tij italian, Guido Crosetto, diskutuan të hënën për çështje të mbrojtjes dhe sigurisë dypalëshe dhe rajonale, si dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Türkiyes në platformën X.
Crosetto mbërriti në kryeqytetin Ankara me ftesë të Güler dhe u prit me një ceremoni ushtarake.
Më pas, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan e priti gjithashtu ministrin italian të Mbrojtjes.
Pas takimit, Crosetto shkroi në X: “Sot pata mundësinë të takohesha me Presidentin Recep Tayyip Erdoğan, i shoqëruar nga homologu im, Yaşar Güler. Ishte një mundësi për t'i dëgjuar mendimet e tij mbi çështjet kyç të sigurisë ndërkombëtare, përfshirë zhvillimet në Ukrainë, Indo-Paqësor dhe, veçanërisht, Lindjen e Mesme.”
“Diskutuam gjithashtu për rolin e NATO-s në mbrojtjen e Evropës dhe bashkëpunimin e mundshëm mes forcave tona të armatosura.”
Lidhur me bisedimet me Güler, ai shtoi: “Ishte një mundësi e vlefshme për të diskutuar çështje me interes të përbashkët, veçanërisht krizat e vazhdueshme në Lindjen e Mesme. U përqendruam në situatat në Siri dhe Afrikë, si dhe të dyja palët shprehën mbështetje të fortë për nxitjen e dialogut dhe stabilitetit, nga Ballkani deri në Lindjen e Mesme.”