| Albanian
RAJONI
1 minuta leximi
Shefi i ushtrisë së Maqedonisë së Veriut pritet në takim në Tiranë nga presidenti Begaj
Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë mes dy vendeve fqinje, aleate në NATO, si dhe në rëndësinë e koordinimit rajonal përballë sfidave të sigurisë.
Shefi i ushtrisë së Maqedonisë së Veriut pritet në takim në Tiranë nga presidenti Begaj
Shefi i ushtrisë së Maqedonisë së Veriut pritet në takim në Tiranë nga presidenti Begaj / Bajram Begaj/X

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur në takim shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Maqedonisë së Veriut, gjeneral major Sashko Llafçiski, i cili qëndron për një vizitë zyrtare 3-ditore në Shqipëri.

Siç njofton presidenca shqiptare, takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë mes dy vendeve fqinje, aleate në NATO, si dhe në rëndësinë e koordinimit rajonal përballë sfidave të sigurisë.

Presidenti Begaj vlerësoi kontributin e Maqedonisë së Veriut në misionet e NATO-s.

"Në kushtet e dinamikave të reja gjeopolitike, presidenti theksoi domosdoshmërinë e rritjes së investimeve në siguri dhe mbrojtje, investimin për Korridorin VIII, i cili është i një rëndësie strategjike për rajonin dhe aleancën, si dhe shtimin e kontributeve në mbrojtjen kolektive", tha presidenca.

Gjeneral major Llafçiski më herët është takuar edhe me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji.