Begaj dekreton ndryshimet në qeveri, i kalojnë për miratim Kuvendit
Pas këtij dekretimi, ndryshimet në kabinetin qeveritar do t’i kalojnë për miratim Kuvendit të Shqipërisë, ku pritet të votohen nga deputetët në seancë plenare.
Ndryshimet e propozuara nga kryeministri Edi Rama, u miratuan të mërkurën nga presidenti Bajram Begaj.
Në këto ndryshime, shkarkohet nga posti i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Elisa Spiropali nga posti i ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Pirro Vengu nga posti i ministrit të Mbrojtjes, Albana Koçiu nga posti i ministres së Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari nga posti i ministrit të Drejtësisë dhe Toni Gogu nga posti i ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Në të njëjtën kohë, Begaj dekretoi emërimet e reja në detyrë të: Albana Koçiut në postin e zëvendëskryeministres, Ferit Hoxhës në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Besfort Lamallarit në postin e ministrit të Punëve të Brendshme, Ermal Nufit në postin e ministrit të Mbrojtjes, Toni Gogut në postin e ministrit të Drejtësisë, Enea Karakaçit në postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Erjona Ismailit në postin e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Ndërkaq, u dekretua edhe lirimi i Ferit Hoxhës nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian.
Pas dekretimit nga presidenti, ndryshimet në kabinetin qeveritar do t’i kalojnë për miratim Kuvendit të Shqipërisë, ku pritet të votohen nga deputetët në seancë plenare.