Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka zhvilluar takimin e parë me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjes për të gjetur një kandidat konsensual për presidentin e ri të vendit.
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, pas takimit me Abdixhikun tha se takimi kaloi në atmosferë konstruktive dhe me vullnetin e LDK-së që "vendit t'i sjellë një president".
“E pashë vullnetin e LDK-së që vendit t’i sjellim një president të ri që nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, që duhet të sigurojmë funksionim demokratik të shtetit dhe që për këtë duhet të ndërtojmë mirëbesim. Diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti sa i përket vlerave, meritave dhe kontributeve në shoqëri për kombin mbarë dhe në profesione të caktuara”, tha Kurti pas takimit.
Kurti tha se ende nuk mund të bëjnë publik ndonjë emër të mundshëm si kandidat për president, por me kreun e LDK-së kanë diskutuar për kriteret, parimet, rrethanat në të cilat ndodhet vendi.
“Duam president ose presidente meritore, kushtetuese, që reflekton vlerat e shoqërisë sonë, që ka kontribut për popullin e në profesion të caktuar dhe në këtë mënyrë nuk ngjall dilema në rolin, funksionin dhe detyrën fisnike që do t’i duhet ta kryej në pesë vitet e ardhshme”, shtoi Kurti.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit me Kurtin, ka thënë se janë dakorduar që në takimin e ardhshëm të shkohet me emra konkretë për presidentin a presidenten e Republikës së Kosovës.
Për këtë çështje, Abdixhiku ka deklaruar se kanë kërkuar kohë për ta diskutuar e konsultuar edhe brenda subjekteve një emër specifik.
“Nuk duam një president të parëndësishëm, por një figurë që është e respektuar dhe e ushtron më dinjitet funksionin më të lartë shtetëror. Kosova ka figura të tilla, por gjendja dhe çështja është shumë sensitive. Kërkuam periudhë diskutuese të brendshme brenda subjekteve tona dhe konsultative me shoqërinë secili në mënyrën e vet para se të vijmë me emra konkret në takimin e ardhshëm. E di që fokusi është për emra specifik, për këtë na duhet ende kohë”, ka thënë Abdixhiku.
Takimi zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje politike për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të të Kuvendit.
Ditë më parë, LDK-ja hoqi dorë nga çdo kërkesë e saj. Kreu i saj, Lumir Abdixhiku, tha se deputetët e partisë së tij do ta japin votën për formimin e institucioneve të reja, por, për presidentin e ri, kushti i LDK-së është që kandidati të jetë konsensual.





















