| Albanian
RAJONI
5 minuta leximi
Investimet e botës së biznesit turk në Shqipëri arrijnë në 3,5 miliardë dollarë
Marrëdhëniet ekonomike Türkiye-Shqipëri spikasin vitet e fundit për shkak të rritjes së tregtisë dhe investimeve, dhe mundësive të zgjeruara të bashkëpunimit në sektorë strategjikë si energjia, infrastruktura, transporti, turizmi dhe financat.
Investimet e botës së biznesit turk në Shqipëri arrijnë në 3,5 miliardë dollarë
Investimet e botës së biznesit turk në Shqipëri arrijnë në 3,5 miliardë dollarë

Kryetari i Këshillit të Biznesit Türkiye-Shqipëri pranë Këshillit për Marrëdhëniet Ekonomike me Jashtë (DEIK), Serhat Kısakürek, deklaroi se bota e biznesit turk është ndër investitorët e rëndësishëm në ekonominë shqiptare, duke theksuar se "Sot në vend operojnë rreth 800 kompani turke dhe vlera e përgjithshme e investimeve turke ka arritur në 3,5 miliardë dollarë".

Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Türkiyes dhe Shqipërisë spikasin vitet e fundit për shkak të rritjes së tregtisë dhe investimeve, si dhe mundësive të zgjeruara të bashkëpunimit në sektorë strategjikë si energjia, infrastruktura, transporti, turizmi dhe financat.

Ndërsa prania e kompanive turke në ekonominë shqiptare po forcohet, rritja e vëllimit tregtar ndërmjet dy vendeve dhe diversifikimi i investimeve të ndërsjella mbeten ndër prioritetet kryesore të marrëdhënieve ekonomike.

Përparimi i Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) po krijon mundësi të reja investimi në shumë fusha, veçanërisht në infrastrukturë dhe energji. Ndërkohë, qasja e vendit në detin Adriatik dhe pozita e tij strategjike në Ballkan rrisin potencialin për bashkëpunim në fushën e logjistikës dhe transportit.

- "Synimi ynë i përbashkët është ta çojmë vëllimin tregtar në 2 miliardë dollarë"

Duke folur për Anadolu, kryetari i Këshillit të Biznesit Türkiye-Shqipëri pranë DEIK-ut, Kisakurek, tha se marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Türkiyes dhe Shqipërisë kanë një bazë mjaft të fortë, duke theksuar se afërsia historike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve krijon sot një terren të rëndësishëm për bashkëpunim në fushën e tregtisë dhe investimeve.

Kisakurek theksoi se vullneti i fortë politik i shprehur nga presidenti i Türkiye, Recep Tayyip Erdoğan, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ofron gjithashtu një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike.

Duke vënë në dukje se vëllimi tregtar ndërmjet dy vendeve vitin e kaluar ishte rreth 965 milionë dollarë, Kisakurek tha se kjo shifër ende nuk pasqyron plotësisht potencialin e të dyja vendeve.

"Synimi ynë i përbashkët për periudhën e ardhshme është ta çojmë vëllimin tregtar në 2 miliardë dollarë. Megjithatë, për ne është e rëndësishme që rritja e vëllimit tregtar të shoqërohet me diversifikimin e investimeve të ndërsjella dhe zhvillimin e partneriteteve ekonomike afatgjata", tha ai.

Kisakurek deklaroi se u japin përparësi rritjes së kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet komuniteteve të biznesit të të dy vendeve, shqyrtimit të mundësive të bashkëpunimit në sektorë të rinj dhe trajtimit të çështjeve me të cilat përballen investitorët në bashkëpunim me institucionet përkatëse.

"Përmes delegacioneve të ndërsjella tregtare, takimeve sektoriale dhe nismave të përbashkëta për investime, synojmë t'i çojmë marrëdhëniet tona përpara me hapa më konkretë", u shpreh ai.

- "Bota e biznesit turk është ndër investitorët e rëndësishëm në ekonominë shqiptare"

Serhat Kisakurek theksoi se bota e biznesit turk është ndër investitorët e rëndësishëm në ekonominë shqiptare.

"Sot në vend operojnë rreth 800 kompani turke dhe vlera e përgjithshme e investimeve turke ka arritur në 3,5 miliardë dollarë", tha ai.

Duke bërë të ditur se kompanitë turke kanë një prani të fortë në Shqipëri, veçanërisht në sektorët bankar dhe financiar, energji, infrastrukturë, ndërtim dhe prodhim, Kisakurek tha se në periudhën e ardhshme sheh potencial të rëndësishëm sidomos në energjinë e rinovueshme, ruajtjen e energjisë, infrastrukturën e transportit, turizmin, zhvillimin e pasurive të paluajtshme, miniera dhe logjistikë.

Kisakurek vuri në dukje se përvoja e kompanive turke në kontraktimin ndërkombëtar, zhvillimin e projekteve energjetike dhe financa përputhet në masë të konsiderueshme me nevojat e Shqipërisë për zhvillim dhe modernizim.

- "Pritshmëria jonë është që përparimi në procesin e anëtarësimit në BE të rrisë investimet e drejtpërdrejta nga Türkiye në Shqipëri"

Kisakurek, e cilësoi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE si një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm për të ardhmen ekonomike të vendit, duke thënë se ritmi i negociatave tregon se ky proces nuk është shumë larg.

Duke tërhequr vëmendjen te fakti se procesi i përafrimit me legjislacionin e BE-së sjell nevoja të reja për investime, veçanërisht në infrastrukturë, energji, mjedis, transport, digjitalizim dhe industri, Kisakurek tha:

"Besojmë se ky transformim do të ofrojë mundësi të rëndësishme për kompanitë turke. Marrëdhëniet e forta tregtare të Türkiyes me tregjet evropiane dhe përvoja e kompanive turke në projektet ndërkombëtare mund të sjellin avantazhe të rëndësishme në këtë proces. Pritshmëria jonë është që, krahas përparimit në procesin e anëtarësimit në BE, të rriten investimet e drejtpërdrejta nga Türkiye në Shqipëri. E konsiderojmë të rëndësishme që investitorët turq ta ndjekin nga afër këtë proces transformimi dhe t’i vlerësojnë që në fazat e hershme mundësitë që krijohen".

Kisakurek deklaroi se dalja e Shqipërisë në detin Adriatik i jep vendit potencialin për t'u bërë një pikë e rëndësishme lidhëse logjistike ndërmjet Ballkanit dhe pjesëve të tjera të Evropës.

"Këtë pozicion e shohim si një avantazh strategjik për të ardhmen e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Türkiyes dhe Shqipërisë", tha ai.

Serhat Kisakurek deklaroi se vizita e delegacionit të Këshillit të Biznesit Türkiye-Shqipëri pranë DEIK-ut në Tiranë, më 7-8 tetor, ishte mjaft produktive dhe e suksesshme, duke theksuar se patën mundësinë të shprehnin në nivelin më të lartë interesin e botës së biznesit turk për Shqipërinë dhe vendosmërinë për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve.

"Prioriteti ynë është të ruajmë marrëdhëniet e krijuara gjatë kësaj vizite dhe t'i shndërrojmë mundësitë e diskutuara në partneritete konkrete tregtare dhe investime. Do të vazhdojmë me vendosmëri punën tonë për ta çuar miqësinë e fortë ndërmjet dy vendeve drejt një partneriteti më të avancuar ekonomik", përfundoi ai.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë