Zyra e Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri ka zhvilluar një trajnim për mësuesit në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.
Në hapjen e aktivitetit të organizuar në ambientet e Kampusit Maarif në Elbasan ishin të pranishëm ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Ozbaysar, drejtues të institucioneve arsimore, mësues dhe zyrtarë të tjerë.
Sipas njoftimit nga Zyra e Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri "Seminari i Trajnimit dhe Zhvillimit Profesional të Mësuesve për Vitin Akademik 2026-2027" është një hapësirë për të mësuar mes mësuesve, për të shkëmbyer ide dhe praktika të suksesshme, si dhe për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë që sjell arsimi bashkëkohor.
“Ambasadori (Erciyes) në fjalimin e tij shprehu forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve nëpërmjet arsimit dhe këtë aktivitet më së miri e bëjnë shkollat Maarif në Republikën e Shqipërisë. AIi përgëzoi shkollat Maarif për trajnimet dhe veprimtarinë e tyre arsimore në Shqipëri”, thuhet në njoftim.
Ozbaysar në fjalën e tij u shpreh se mësuesit janë udhërrëfyesit më të rëndësishëm në jetën e nxënësve.
“Ju (mësuesit) nuk jeni vetëm ata që përcillni programin mësimor, me qëndrimin, durimin dhe vëmendjen tuaj, jeni burim frymëzimi”, ka theksuar Ozbaysar.
Seminari është organizuar në bashkëpunim me Shkollën e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar në Shqipëri.
Viti i ri shkollor në institucionet e arsimit parauniversitar në Shqipëri do të fillojë më 14 shtator.






















