Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka miratuar vendimin për largimin e mbishkrimit “I Love Mitrovica” i vendosur nga qeverisja e kaluar lokale e udhëhequr nga ish-kryetari Erden Atiq, në qendër të qytetit.
Në fillim të tetorit të vitit 2025 qeverisja lokale e udhëhequr nga Atiqi e kishte larguar mbishkrimin e mëhershëm me germa cirilike serbe “Kosovska Mitrovica”, duke e zëvendësuar me mbishkrimin në gjuhë angleze dhe me një zemër të gjelbër dhe stemë të komunës.
Pika e cila u propozua gjatë seancës nga Lista Serbe, e cila tani udhëheq në Mitrovicë të Veriut, u përcoll me kundërshtime nga zëvendëskryesuesja e Kuvendit Komunal, Aida Ferati-Doli, pasi, sipas saj, materiali i mbledhjes është dërguar me vonesë.
Ankesa që materiali u dërgua me vonesë dhe se kjo është e kundërligjshme pati edhe asamblisti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Emir Azemi.
Edhe pse fillimisht kundërshtuan që kjo pikë të përfshihej në rendin e ditës së sotme, asamblistët nga iniciativa qytetare “Veriu për të gjithë”, Marko Jakshiq dhe Ivan Miletiq, si dhe asamblisti i Demokracisë Serbe, Ivan Orlloviq, me arsyetimin se kjo pikë nuk ishte përfshirë në materialet e dorëzuara, megjithatë votuan për miratimin e këtij vendimi.























