Raketa "Spectrum", e zhvilluar nga Isar Aerospace me bazë në Gjermani dhe që synonte lëshimin e satelitëve nga Evropa, shpërtheu 30 sekonda pas ngritjes në Norvegji.
Raketa "Spectrum" që u lëshua dje nga baza hapësinore Andoya e Norvegjisë në orën 12:30 me kohën lokale, shpërtheu në ajër pas afërsisht 30 sekonda fluturimi.
Një shpërthim i fortë u dëgjua gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të nisjes. Më vonë raketa, me peshë rreth 50 tonë u rrëzua pranë pikës së lëshimit në ishullin Andoya.
Në një deklaratë nga Andoya Space e cila menaxhon objektin e lëshimit thuhet se raketa "Spectrum" ra në oqean dhe askush nuk u dëmtua.
Në deklaratë thuhet se vazhdojnë punimet për vlerësimin e dëmeve mjedisore apo materiale. Ndërkohë nuk u dha asnjë informacion për shkakun e rrëzimit të raketës.
Raketa "Spectrum" pa ekuipazh, 28 metra e lartë e zhvilluar nga kompania private "Isar Aerospace" me bazë në Mynih, synohej të ishte raketa e parë e Evropës që do të hidhej në orbitë nga një bazë hapësinore komerciale në kontinent. Por, me rënien e saj pas 30 sekondash, raketa në fjalë nuk mundi ta arrijë hapësirën, e cila nis në lartësinë 100 kilometra sipas përcaktimit ndërkombëtar.
Kompania gjermane synonte të mblidhte të dhëna me fluturimin testues në fjalë, i cili synonte vendosjen e satelitëve në orbitë.
Zyrtari i lartë i "Isar Aerospace", Daniel Metzler, deklaoi se "Në fluturimin tonë të parë sot, ne arritëm një ngritje të pastër, një fluturim 30 sekonda dhe gjatë kësaj nuk e hodhëm në erë pistën".
Ndërsa aksesi i pavarur në hapësirë është bërë i rëndësishëm për arsye sigurie dhe ekonomike për shkak të tensioneve gjeopolitike midis ShBA-së dhe Evropës, kompania "Isar Aerospace" me një kapital që i kalon 400 milionë euro synon të prodhojë 40 automjete lëshimi në vit në të ardhmen me fabrikën e re që do të ndërtohet në afërsi të Mynihut.
Sipas një studimi të zhvilluar nga banka e investimeve "Goldman Sachs" me bazë në ShBA, tregu global i satelitëve do të rritet nga 15 miliardë dollarë aktuale në të paktën 108 miliardë dollarë në 10 vjet. Në pesë vitet e ardhshme, 70 mijë satelitë do të vendosen në lartësi deri në 1.000 kilometra nga Toka. Aktualisht ky është pothuajse gjashtë herë sa numri i përgjithshëm i satelitëve.
Derisa ShBA-ja shquhet për dominimin e saj në lëshimet e raketave në botë për shkak të Space X, kompanisë hapësinore të themeluar nga Elon Musk, dërgimi i satelitëve zbulues të Bundeswehr-it në hapësirë nga Space X ka shkaktuar kritika në mediat gjermane për varësinë e mbrojtjes gjermane nga ShBA-ja dhe Musk.























