Çmimet e naftës u rritën mbi gjashtë për qind pas kërcënimit të Trumpit ndaj Iranit

Nafta Brent kaloi 107 dollarë për fuçi për shkak të frikës nga konflikti i zgjatur dhe ndërprerjet e furnizimit.

By
Çmimet e naftës u rritën mbi gjashtë për qind pas kërcënimit të Trumpit ndaj Iranit / AA

Çmimet e naftës u rritën mbi 6,5 për qind të enjten, me naftën bruto Brent që kaloi 107 dollarë për fuçi, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi se do të godasë Iranin në mënyrë jashtëzakonisht të fuqishme, duke rritur shqetësimet për një konflikt të zgjatur dhe ndërprerje më të thella të furnizimit në Lindjen e Mesme.

Nafta Brent, si tregues ndërkombëtar, u tregtua mëngjesin e sotëm me 108 dollarë për fuçi, me një rritje prej 6,7 për qins, ndërsa West Texas Intermediate amerikan u rrit në 106.45 dollarë për fuçi, me një rritje prej 6,3 për qind.

Rritja e çmimeve erdhi pas deklaratave të Trump, të cilat sinjalizuan se sulmet amerikane ndaj Iranit do të vazhdojnë, pa një rrugë të qartë drejt uljes së tensioneve, duke zhgënjyer investitorët që shpresonin për shenja të një armëpushimi të shpejtë ose përparime diplomatike.

“Do t’i godasim jashtëzakonisht fuqishëm. Brenda dy-tri javësh. Do t’i kthejmë në epokën e gurit, ku dhe u takon”, tha Trumpi.

Tregjet e naftës më parë gjatë kësaj jave u qetësuan përkohësisht nga pritshmëritë se Uashingtoni mund të reduktojë fushatën e tij ushtarake, por ndjenja u ndryshua pas komenteve të Trump, të cilat risollën shqetësimin për rrezikun ndaj rrjedhës së naftës bruto nga rajoni, veçanërisht përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për furnizimet globale me energji.