Shefi i OKB-së bën thirrje për “përmbajtje” pas bllokadës amerikane ndaj naftës së Venezuelës
Guterres u bëri thirrje të gjitha palëve “t’i respektojnë detyrimet e tyre sipas së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Kartën e OKB-së dhe çdo kuadër tjetër ligjor të zbatueshëm për të garantuar paqen në rajon”.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për “përmbajtje” mes tensioneve të krijuara pas vendimit të fundit të ShBA-së për të vendosur një “bllokadë totale” ndaj cisternave të naftës së Venezuelës.
“Sekretari i përgjithshëm është i përqendruar në shmangien e çdo përshkallëzimi të mëtejshëm.
Ai bën thirrje për përmbajtje dhe për de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës,” tha zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, në një konferencë për media të mërkurën.
Duke u bërë thirrje të gjitha palëve “të respektojnë detyrimet e tyre sipas së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Kartën e OKB-së dhe çdo kuadër tjetër ligjor të zbatueshëm për të garantuar paqen në rajon”, Haq tha se Guterres “beson se çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet me mjete paqësore”.
“Sekretari i përgjithshëm po e ndjek nga afër situatën aktuale dhe po angazhohet me palët përkatëse,” shtoi Haq.
Deklarata vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të hënën se kishte urdhëruar një “bllokadë totale dhe të plotë” ndaj anijeve të sanksionuara që hyjnë ose dalin nga vendi i Amerikës së Jugut, i cili është përballur me një grumbullim të forcave amerikane pranë bregut të tij verior në Detin e Karaibeve.
Karaka e cilësoi këtë veprim si “grotesk”, duke akuzuar Trumpin se po përpiqet të përvetësojë burimet natyrore të vendit. Në deklaratën e qeverisë thuhet se Trump “supozon se nafta, toka dhe pasuritë minerare të Venezuelës janë pronë e tij”.
Gjatë katër muajve të fundit, forcat amerikane kanë mbajtur një prani të konsiderueshme dhe në rritje ushtarake në Karaibe, duke kryer sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge. Trump ka deklaruar gjithashtu se ushtria amerikane mund të kryejë së shpejti sulme tokësore në territorin venezuelian.
Përballja u përshkallëzua më tej kur forcat amerikane sekuestruan një cisternë nafte të sanksionuar pranë bregut të Venezuelës më 10 dhjetor, një akt që Karakasi e quajti “pirateri ndërkombëtare”.