Ministrja e Shtetit në Qeverinë e Shqipërisë dhe kryenegociatorja me Bashkimin Evropian (BE), Majlinda Dhuka ka deklaruar se BE-ja i ka paraqitur Shqipërisë 101 kushte për mbylljen e negociatave për 31 kapituj.
Në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë është zhvilluar një seancë dëgjimore me ministren Dhuka mbi procesin e anëtarësimit dhe integrimit të Shqipërisë në BE.
Në fjalën e saj, hapjen e negociatave Dhuka e ka konsideruar një zhvillim historik për rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
"Viti 2025 që ka qenë një vit jashtëzakonisht i mirë sa i përket progresit si në lidhje me çeljen e negociatave po ashtu edhe me nismat dhe reformat evropiane. Është produkt së pari i vullnetit politik të të gjithë faktorëve dhe forcave politike, i disiplinës së fortë institucionale dhe gjithë institucioneve. Rreth 157 institucione janë të përfshira në përgatitjet për anëtarësim të Shqipërisë(në BE)", tha Dhuka.
Ajo theksoi se çelja e negociatave i dha Shqipërisë nga BE-ja edhe kushtet për mbylljen e negociatave për kapitujt.
"Në çeljen e negociatave, Bashkimi Evropian ka bërë publik qëndrimin negociues në të cilin parashikohen kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë. Deri tani BE-ja i ka paraqitur Shqipërisë 101 kushte për mbylljen e negociatave për 31 kapituj", tha ndër të tjera Dhuka.
Sa i përket parandalimit të korrupsionit, Dhuka u shpreh se janë marrë një numër masash të rëndësishme.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2014 dhe synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027 ndërkohë synon anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.





















