Vetëm gjatë 12 orëve të fundit në Shqipëri janë raportuar 14 vatra zjarri, nga ku pesë vijojnë të mbeten aktive.
Për izolimin dhe shuarjen e tyre janë vënë në dispozicion 182 forca operacionale dhe 19 automjete zjarrfikëse, informon Agjencia për Media dhe Informim,
Teksa operacionet po vazhdojnë në disa zona të vendit, ndërhyrjet nga ajri po mbështeten nga tre helikopterë dhe një avion i Forcës Ajrore.
Operacionet janë përqendruar në Dajt, në fshatin Riban të Mallakastrës, në Shqiponjë të Prrenjasit, në Vërzhezhë të Skraparit, në Krekëz të Himarës dhe në zonën malore mes Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull.
Në Riban, ndërhyrja e forcave tokësore dhe ajrore ka shmangur rrezikun për zonat e banuara. Pesëmbëdhjetë familje u evakuuan përkohësisht si masë parandaluese.
Vatrat tashmë të shuara kanë prekur rreth 1,5 hektar me barishte, shkurre dhe bimësi pyjore, ndërsa sipërfaqja e dëmtuar nga zjarret ende aktive vazhdon të vlerësohet.
Strukturat e mbrojtjes civile po monitorojnë situatën dhe po bashkërendojnë operacionet kundër zjarreve në të gjithë vendin.




















