Zonja e parë e Türkiyes, Emine Erdogan, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të zhvillojë një vizion të ri për forcimin e institucionit të familjes, duke paralajmëruar se rënia e lindshmërisë dhe plakja e popullsisë po i shtyjnë shoqëritë drejt një “epoke pas-familjes.”
Në një mesazh me video drejtuar samitit ndërkombëtar “Growing Europe 2025”, Erdogan tha të martën se jeta tradicionale familjare, me familje të zgjeruara, festa të përbashkëta dhe breza që mblidhen rreth së njëjtës tryezë, është zhdukur në masë të madhe nga shoqëritë moderne.
Ajo argumentoi se ky ndryshim pasqyron jo vetëm transformim kulturor, por edhe shenjat e para të një bote që po largohet nga njësia e saj bazë shoqërore.
Zonja e parë vuri në dukje prirjet demografike globale, duke theksuar se fertiliteti ka rënë në 2.2 fëmijë për grua dhe se më shumë se gjysma e vendeve tashmë janë nën nivelin e zëvendësimit të popullsisë. Deri në vitin 2030, një në gjashtë persona do të jetë mbi 60 vjeç, ndërsa popullsia mbi 80 vjeç pritet të trefishohet deri në vitin 2050.
“Çdo lindje i shton një ditë të re pranverës së botës,” tha ajo.
“Rënia e lindshmërisë dhe tkurrja e popullsisë së re ngadalësojnë rritjen ekonomike dhe vendosin presion serioz financiar mbi sistemet e sigurimeve shoqërore dhe kujdesit shëndetësor. Me pak fjalë, një botë që nuk arrin të rinovohet, tërhiqet në mënyrë të pashmangshme drejt një ngërçi të madh.”
Ajo theksoi përgjigjen e Türkiyes ndaj këtyre sfidave, duke kujtuar shpalljen e vitit 2025 si Vitin e Familjes dhe viteve 2026–2035 si Dekadën e Familjes dhe Popullsisë.
“Politika si kreditë për banim dhe martesë, lejet e zgjatura prindërore, mbështetja për kujdesin ndaj fëmijëve dhe modelet fleksibile të punës synojnë të lehtësojnë tensionin mes jetës familjare dhe asaj profesionale”- tha ajo.
Erdogan kritikoi gjithashtu narrativat kulturore që e paraqesin jetën familjare si pengesë për ambicie, duke thënë se “industria e kulturës” moderne e ngrit individualizmin, ndërsa e lë familjen në hije.
Ajo shprehu shpresën që samiti të shërbejë si një platformë për të kundërshtuar këto prirje dhe për të frymëzuar angazhim më të fortë për politika të fokusuara te familja.
“Hapat që ndërmarrim për të vendosur familjen në qendër do t’i japin frymë të re një bote që po plaket dhe po bëhet gjithnjë e më e vetmuar,” shtoi ajo.























