Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të detyrohet të pranojë çdo marrëveshje bërthamore që Uashingtoni arrin me Teheranin, duke theksuar se ai vetë e kontrollon politikën e jashtme amerikane.
“Do të thotë që ai nuk do të ketë zgjidhje tjetër. Unë i marr vendimet. Unë i marr të gjitha vendimet. Ai nuk i merr vendimet”, tha Trump në një intervistë telefonike për gazetën britanike Financial Times.
Deklaratat e tij vijnë pas një sulmi me raketa balistike nga Irani ndaj objektivave në Izrael, që u konsiderua shkelja më serioze e armëpushimit të arritur në fillim të prillit.
Më herët, pas sulmit, Trump kishte thënë për Fox News se do t’i kërkonte Netanyahut të mos ndërmerrte kundërsulme ndaj Iranit. Sipas raportimeve të Axios dhe mediave izraelite, dy liderët kanë zhvilluar edhe një bisedë telefonike për këtë çështje.
Pavarësisht sulmit me raketa nga Irani drejr Izraelit, Trump tha se ShBA-ja do të vazhdojë përpjekjet për një marrëveshje me Iranin.
“Kjo nuk do të ketë ndikim në marrëveshje. Marrëveshja mund të arrihet sipas meritës së saj ose jo, por kjo nuk do të ndryshojë asgjë”, tha ai.
Nëse negociatat dështojnë, Trump paralajmëroi se ShBA mund të marrë në konsideratë veprime ushtarake ndaj Iranit ose një bllokadë më të ashpër ekonomike.
“Kjo mund të nënkuptojë që ne të ndërhyjmë dhe të ‘pastrojmë’ pjesën që nuk e kemi trajtuar ushtarakisht”, tha ai, duke shtuar se bllokada ekonomike ka rezultuar më e dëmshme se sulmet ushtarake.
Sulmi iranian ndodhi pas disa goditjeve izraelite ndaj objektivave në Liban, pavarësisht armëpushimeve të ndërmjetësuara nga ShBA-ja. Një prej tyre ishte edhe një sulm në një pozicion të Hezbollahut në Bejrut, që nxiti reagimin me raketa nga Irani.
Teherani ka deklaruar se një armëpushim i qëndrueshëm izraelit në Liban do të ishte kusht për çdo marrëveshje me ShBA-në.



















