Erdoğani: Ankaraja vazhdon të marrë masa të rrepta kundër shkeljes së hapësirës ajrore

"Ndërsa mbajmë një qëndrim shumë të vendosur kundër veprimeve që shkelin hapësirën tonë ajrore, ne gjithashtu vazhdojmë të ndërmarrim hapa për të forcuar paqen dhe sigurinë e kombit tonë", tha Erdoğani

By
Erdoğani: Ankaraja vazhdon të marrë masa të rrepta kundër shkeljes së hapësirës ajrore / AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi të enjten se Ankaraja vazhdon të marrë masa të forta kundër shkeljeve të hapësirës ajrore dhe për të forcuar sigurinë kombëtare.

“Me vetëdijen se mbajmë përgjegjësinë e 86 milionë njerëzve, ne nuk e braktisim kurrë kujdesin dhe maturinë. Ndërsa mbajmë një qëndrim shumë të vendosur kundër veprimeve që shkelin hapësirën tonë ajrore, ne gjithashtu vazhdojmë të ndërmarrim hapa për të forcuar paqen dhe sigurinë e kombit tonë”, theksoi Erdoğani.

Shefi i Ankarasë zyrtare i bëri këto komente në një videomesazh, duke përshëndetur qytetarët turq me rastin e Bajramit të Ramazanit, i njohur edhe si Fitër Bajrami, festë kjo që vjen pas muajit të bekuar të Ramazanit.

Ai uroi që Bajrami t’i sjellë mirësi, bekime dhe të mira vendit, botës islame e gjithë njerëzimit dhe gjithashtu përmendi situatën në Lindjen e Mesme.

“Vëllezërit dhe motrat tona në Gazë po përpiqen ta festojnë Bajramin e Ramazanit nën sulmet e Izraelit, të cilat shkelin rregullat e armëpushimit dhe bllokojnë ndihmat humanitare. Në pjesë të ndryshme të Palestinës, veçanërisht në Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor, si dhe në jug të Libanit, politikat e pushtimit dhe shkatërrimit vazhdojnë me intensitet të plotë”, u shpreh presidenti turk.

Erdoğani theksoi se sulmet e nisura kundër Iranit më 28 shkurt, së bashku me hakmarrjet e Iranit me raketa dhe dronë ndaj vendeve të treta, i kanë përshkallëzuar më tej tensionet rajonale.

Duke iu referuar nismës “Türkiye pa terrorizëm” të filluar 17 muaj më parë, ai tha se kanë kapërcyer pa probleme shumë pragje kritike. “Me zgjidhjen e çështjes në Sirinë Veriore përmes pajtimit, shqetësimet tona për sigurinë janë lehtësuar dhe integriteti territorial i Sirisë është ruajtur”, shpjegoi udhëheqësi turk.

“Qëllimi ynë është ta çojmë këtë proces të dobishëm që kemi filluar në një përfundim të sigurt, duke marrë parasysh skenarët e përgjakshëm që kërkohen të inskenohen në rajonin tonë”, theksoi ai.

Erdoğani përmendi gjithashtu se ndërkohë që pasiguria globale po rritet, Türkiye arriti ta rrisë ekonominë e saj me 3,6 për qind vitin e kaluar, duke u bërë vendi i tretë me rritjen më të shpejtë midis vendeve të OECD-së në vitin 2025.