Protestë në Strasburg kundër padrejtësive ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Qëllimi i protestës është shprehja e pakënaqësisë ndaj gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, të cilin organizatorët e cilësojnë si të padrejtë.
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) pritet të mbajnë sot protestë para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg duke filluar nga ora 13:00.
Qëllimi i protestës është shprehja e pakënaqësisë ndaj gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, të cilin organizatorët e cilësojnë si të padrejtë dhe me bazë etnike.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, tha se protesta synon të kërkojë drejtësi dhe t’u kujtojë institucioneve evropiane se Gjykata Speciale për Kosovën është themeluar mbi gënjeshtrat e ish-senatorit zviceran Dick Marty.
Ai shtoi se pritet mbështetje e madhe nga diaspora shqiptare, ndërsa njoftoi se do t’u dorëzohet një letër të gjithë deputetëve të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ku pasqyrohen shkeljet dhe padrejtësitë e konstatuara gjatë procesit gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët prej pesë vitesh mbahen në Hagë nën akuzën për “krime lufte”.
Protesta në Strasburg vjen pas atyre të mbajtura më herët në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë.
I pyetur nëse planifikohet një protestë edhe në Shkup, Gucati tha se për momentin ajo nuk do të zhvillohet për shkak të situatës politike në Maqedoninë e Veriut, ndërsa përjashtoi mundësinë e organizimit të një proteste në Luginën e Preshevës.
Në fund, Gucati theksoi se dëshmia e ish-gjeneralit amerikan Wesley Clark në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të jetë “një bombë” për Gjykatën Speciale, duke lënë të kuptohet se ajo mund të trondisë themelet e akuzave të ngritura.