Kryediplomati belg në Shkup: Belgjika mbështet fuqishëm rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së

“Jam i bindur fuqishëm se çështjet dypalëshe nuk duhet në asnjë moment ta pengojnë procesin e zgjerimit. Do të vazhdoj të angazhohem për përparim në reforma dhe përputhje me kriteret e Kopenhagës”, tha Prevot.

By
Kryediplomati belg në Shkup: Belgjika mbështet fuqishëm rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së / AA

Ministri belg i Punëve të Jashtme, i Çështjeve Evropiane dhe i Bashkëpunimit për Zhvillim, Maxim Prevot, i cili qëndron për vizitë në Shkup, ka deklaruar se Maqedonia e Veriut mund ta llogarisë Belgjikën si një aleat të fortë dhe të besueshëm në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

Në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, Prevot theksoi se Belgjika vazhdon ta mbështesë fuqishëm dhe pa mëdyshje rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.

“Jam i bindur fuqishëm se çështjet dypalëshe nuk duhet në asnjë moment ta pengojnë procesin e zgjerimit. Do të vazhdoj të angazhohem për përparim në reforma dhe përputhje me kriteret e Kopenhagës”, tha Prevot.

Ministri belg vlerësoi, sipas tij, stabilitetin institucional të arritur në vend, theksoi rëndësinë e dialogut politik konstruktiv dhe sundimit të ligjit, si dhe inkurajoi vazhdimin e reformave.

Në fjalën e tij, ai përmendi edhe mosmarrëveshjen mes Shkupit dhe Sofjes. Sipas tij, është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të marrë garanci se nuk do të përballet me bllokada të reja pasi të përmbushë detyrimet e saj.

“Besoj se të gjitha vendet e BE-së duhet të gjejnë një mënyrë për ta shprehur vullnetin që këto garanci do të jepen", tha Prevot.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të qëndrueshme në një botë multipolare dhe vlerësoi lidhjet e forta mes dy vendeve, duke përmendur edhe diasporën maqedonase në Belgjikë si faktor që i forcon ato.

Mucunski, nga ana tjetër, e cilësoi vizitën si të rëndësishme për vendin dhe rajonin, veçanërisht në kontekstin e sfidave gjeopolitike aktuale.

“Gjatë tri dekadave të fundit që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, kemi ndërtuar një miqësi të fortë, dialog politik intensiv dhe partneritet të qëndrueshëm. E kam shprehur qartë përcaktimin tonë që me Mbretërinë e Belgjikës ta zhvillojmë më tej miqësinë dhe ta thellojmë atë, mbi bazën e respektit të ndërsjellë, besimit dhe përgjegjësisë së përbashkët për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit dhe më gjerë”, tha Mucunski.

Mucunski gjithashtu falënderoi Belgjikën për mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore ndaj procesit të integrimit evropian, si dhe për solidaritetin pas tragjedisë në Koçan, ku Belgjika kontribuoi në transportin dhe trajtimin e pacientëve.