Administrata e presidentit amerikan Donald Trump planifikon të dërgojë agjentë të Patrullës Kufitare të ShBA-së në Charlotte, Karolina e Veriut dhe New Orleans, Louisiana, si pjesë e një pranie të zgjeruar të zbatimit federal të ligjit në qytetet amerikane, raportoi gazeta "The New York Times".
Zyrtarë të njohur me këto plane i kanë thënë gazetës se dislokimet janë ende në proces përfundimi.
Agjentët e Patrullës Kufitare do të vazhdojnë të kenë prani në zonën e Çikagos, ku një operacion dymujor i zbatimit të ligjit ka rezultuar me mijëra arrestime dhe përplasje të përsëritura midis agjentëve federalë dhe banorëve.
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, agjentët atje ndonjëherë kanë përdorur forcë, përfshirë gaz lotsjellës dhe sprej piperi ndërsa të shtunën e kaluar janë qëlluar nga një sulmues i panjohur.
Operacionet në Çikago kanë tërhequr vëmendjen e gjykatave. Javën e kaluar, gjykatësja federale Sara L. Ellis kufizoi përdorimin e armëve për kontrollin e turmave nga agjentët, duke e përshkruar përdorimin e mëparshëm të forcës si "tronditës për ndërgjegjen" dhe duke urdhëruar që agjentët të mbajnë kamera trupore.
Ndihmëssekretarja në agjenci, Tricia McLaughlin ka refuzuar të flasë për operacionet e planifikuara në Charlotte dhe New Orleans, duke thënë vetëm se "çdo ditë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare po zbaton ligjet e kombit në gjithë vendin".
Trump ka përmendur në mënyrë të përsëritur një "problem kriminaliteti" në Nju Orlins dhe ka sinjalizuar plane për një prani federale atje. Guvernatori Republikan i Louizianës, Jeff Landry gjithashtu ka kërkuar dërgimin e Gardës Kombëtare në këtë shtet.























