Tetë vende, përfshirë Türkiyen, i dënojnë kufizimet e Izraelit ndaj besimtarëve në xhaminë Al-Aksa
Kryediplomatët përkatës të vendeve Türkiye, Egjipt, Jordani, Indonezi, Pakistan, Arabi Saudite, Emirate të Bashkuara Arabe dhe Katar lëshuan një deklaratë të përbashkët për shkeljet e vazhdueshme të Izraelit në vendet e shenjta në Jerusalem.
Türkiye, Egjipti dhe gjashtë vende të tjera myslimane kanë dënuar kufizimet e vazhdueshme të Izraelit ndaj hyrjes së besimtarëve myslimanë në kompleksin e Al-Aksas gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të kufizimeve.
Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve përkatëse Türkiye, Egjipt, Jordani, Indonezi, Pakistan, Arabi Saudite, Emirate të Bashkuara Arabe dhe Katar lëshuan një deklaratë të përbashkët për shkeljet e vazhdueshme të Izraelit në Jerusalem.
“Kufizimet e sigurisë për qasjen në Qytetin e Vjetër të Jerusalem dhe në vendet e tij të adhurimit, së bashku me kufizimet diskriminuese dhe arbitrare për hyrjen në vendet e tjera të adhurimit në Qytetin e Vjetër, përbëjnë një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare, ‘status quo’-n historike dhe ligjore dhe parimin e qasjes së pakufizuar në vendet e adhurimit”, thuhet në deklaratë.
Deklarata i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë një qëndrim të vendosur për ta detyruar Izraelin të ndalojë shkeljet ndaj vendeve të shenjta islame dhe të krishtera në Jerusalem.
“Ministrat shprehën refuzimin dhe dënimin e tyre të plotë ndaj kësaj mase të paligjshme dhe të pajustifikuar, si dhe ndaj veprimeve provokuese të vazhdueshme të Izraelit në Xhaminë Al-Aksa dhe kundër besimtarëve. Ata theksuan se Izraeli nuk ka sovranitet mbi Kudsin e pushtuar apo mbi vendet e tij të shenjta islame dhe të krishtera”, thuhet më tej në deklaratë.
Duke theksuar se i gjithë kompleksi i Al-Aksas prej 144 dynymësh është një vend adhurimi ekskluzivisht mysliman, deklarata theksoi se autoriteti i Vakëfit të Jordanisë ka juridiksionin e vetëm mbi administrimin dhe hyrjen në të.
“Ministrat i bënë thirrje Izraelit, si fuqi pushtuese, ta ndalojë menjëherë mbylljen e portave të Xhamisë Al-Aksa, të heq kufizimet e hyrjes në Qytetin e Vjetër të Kudsit dhe të përmbahet nga pengimi i besimtarëve myslimanë për të hyrë në xhami”, thuhet në deklaratë.