Arrestohet i riu në Mal të Zi, bëri grafit me mbishkrimin "Gjeneral, faleminderit për Srebrenicën"
I mituri shkroi në ndërtesën e ambasadës së BeH-së mesazhe si; "Gjeneral, të faleminderit për Srebrenicën" dhe "Kafe të ëmbël Mlladiq Ratko", ndërsa para disa ditësh kishte vizatuar simbole naziste për festën hebraike në sheshin "Argjentina"
Autoritetet e Malit të Zi kanë arrestuar një të mitur 16-vjeçar, pasi para disa ditësh shkroi në ndërtesën e Ambasadës së Bosnjës e Hercegovinës (BeH) në Podgoricë grafite që lavdëronin kriminelin e luftës, Ratko Mlladiq, i cili u shpall fajtor për gjenocidin në Srebrenicë.
Grafitet e bëra në gardhin e ambasadës së BeH-së në Podgoricë përmbanin mesazhe si; "Gjeneral, të faleminderit për Srebrenicën" dhe "Kafe të ëmbël Mlladiq Ratko", para disa ditësh kishte vizatuar edhe simbole naziste në një tabelë kushtuar festës hebraike Hanukkah në sheshin "Argjentina" në kryeqytetin malazez.
Siç raportojnë mediat lokale, Prokuroria e Lartë e Shtetit ka ngritur kallëzim penal kundër 16-vjeçarit nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, fetare dhe racore.
Sa u përket simboleve të vizatuara në tabelën e vendosur në sheshin "Argjentina" me rastin e festës hebraike Hanukkah, mediat lokale raportojnë se prokurori kompetent i Prokurorisë së Lartë ka deklaruar se në këtë rast nuk ka elementë të veprës penale.
Policia ka arrestuar të miturin, duke vlerësuar se veprimet e tij përbëjnë shkelje të Ligjit për rendin dhe qetësinë publike. Ai sot do të paraqitet në Gjykatën për Kundërvajtje në Podgoricë, me kërkesë për nisjen e procedurës administrative.
"Shërbimet e Policisë në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë me masa dhe veprime intensive për identifikimin dhe ndjekjen penale të kryesve të veprave penale dhe shkeljeve që nxisin urrejtje kombëtare, fetare dhe racore, përçmim dhe diskriminim", tha policia duke e theksuar synimin për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut si dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve.