Shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet në pesë vende të Azisë Jugore dhe Juglindore kanë çuar numrin e viktimave në mbi 1.400, ndërsa rreth 1.000 persona ende janë të zhdukur, tregojnë të dhënat nga qeveritë lokale.
Përmbytjet, rrëshqitjet e dheut, stuhitë dhe ciklonet shkaktuan kaos në gjithë Indonezinë, Malajzinë, Sri Lankën, Indinë dhe Tajlandën, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe agjencitë e ndihmës garojnë me kohën për t’i shpëtuar njerëzit e braktisur. Fshatrat e përmbytur, evakuimet masive dhe infrastruktura e dëmtuar pengojnë operacionet e ndihmës në të gjitha rajonet.
Në Indonezi, Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive raportoi se përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut vetëm në Sumatra kanë marrë 770 jetë me 463 persona ende të zhdukur. Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut prekën mbi 3,2 milion njerëz, ndërsa mbi një milion njerëz të zhvendosur u vendosën në vende të sigurta.
Rreth 2.600 persona u lënduan në zonat e përmbytjeve të Sumatrës Veriore, Sumatrës Perëndimore dhe provincave Aceh ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë operacionet për personat e zhdukur në zona të ndryshme.
Qeveria qendrore dërgoi mbi 40 tonë ndihmë emergjente, përfshirë ushqim, ujë, ilaçe dhe artikuj të tjerë thelbësorë, në rajonin e Sumatrës. Të martën, Qendra e Studimeve Ekonomike dhe Ligjore paralajmëroi se përmbytjet e vazhdueshme në Sumatra mund t'i kushtojnë rreth 4,1 miliardë dollarë.
Mbi 1,5 milion të prekur në Sri Lanka
Përmbytjet e vazhdueshme në Sri Lanka kanë prekur mbi 1,5 milion njerëz, ndërsa numri i viktimave u rrit në 465. Mbi 366 persona ende janë të zhdukur pasi vendi ishullor u godit nga cikloni shkatërrues "Ditwah" më 17 nëntor.
Autoritetet zhvendosën afro 233 mijë persona në 1.433 qendra ndërsa qindra shtëpi u dëmtuan nga përmbytjet e mëdha, sipas medias lokale "News 1st". UNICEF-i tha se cikloni "Ditwah" i ka lënë fëmijët në gjithë Sri Lankën përballë një krize humanitare në rritje, pasi mbi 275 mijë fëmijë janë midis personave të prekur.
Pakistani dërgoi 200 tonë ndihmë humanitare në Sri Lanka nëpërmjet ngarkesave detare për t’i mbështetur përpjekjet e ndihmës pas ciklonit shkatërrues.
Ndërkohë, në Indi, të paktën katër persona humbën jetën në shtetin juglindor Tamil Nadu në incidente të lidhura me shiun.
Tajlanda njofton paketën e ndihmës për viktimat e përmbytjeve
Qeveria tajlandeze ka miratuar tri masa ndihmëse për viktimat e përmbytjeve në jug, pasi përmbytja shkatërruese shkaktoi 176 të vdekur dhe preku mbi dy milionë njerëz.
Masat e ndihmës përfshijnë një pauzë 12-mujore të pagesave të kredisë, kredi 12-mujore pa interes dhe kredi për riparimin e shtëpive, tha sot Departamenti i marrëdhënieve me publikun i qeverisë në kompaninë amerikane të mediave sociale X.
Kabineti miratoi 62 mijë dollarë ndihmë funerale për person dhe buxhet prej 16 milionë dollarësh për restaurimin e qytetin Hat Yai në provincën Songkhla, i cili u dëmtua rëndë nga përmbytjet më të këqija të vendit në 25 vjet.
Në Malajzi, situata po përmirësohet ndërsa ujërat po tërhiqen pasi u morën jetën tre personave dhe prekën mijëra gjatë përmbytjeve në shtatë shtetet pranë kufirit me Tajlandën.



















