| Albanian
Opinion
RAJONI
6 minuta leximi
Brenda gjenocidit në Bosnjë: “Sfarit e snajperëve” dhe vrasjet për dëfrim
Një hetim i ri mbi “sniper safari” zbulon se si gjenocidi i Bosnjës u shndërrua në një lojë makabre për të huajt dhe pse drejtësia po vjen me dekada vonesë.
Brenda gjenocidit në Bosnjë: “Sfarit e snajperëve” dhe vrasjet për dëfrim
Brenda gjenocidit në Bosnjë: “Sfarit e snajperëve” dhe vrasjet për dëfrim / AA
25 Nëntor 2025

Nën hijen e rrethimit më brutal urban të Evropës, një hetim i ri ka rihapur plagë të vjetra.
Prokurorët në Milano kanë hapur një çështje lidhur me pretendimet se gjatë rrethimit të Sarajevës (1992–1996), të huaj të pasur, kryesisht italianë, kanë paguar për të marrë pjesë në “safari snajperësh”, duke qëlluar mbi civilë të paarmatosur nga pozicionet e forcave serbe të Bosnjës në kodrat që rrethonin qytetin.

Edhe pse ngjarjet ishin të njohura për shumëkënd që nga koha kur ato ndodhën, historia në fjalë mori vëmendje të re pas dokumentarit tronditës të regjisorit slloven Miran Zupaniq Sarajevo Safari (2022), i cili përmban dëshmi që përshkruajnë këtë formë makabre të “turizmit të luftës”.

Sipas filmit dhe dosjes së paraqitur tashmë nga gazetari Ezio Gavazzeni pranë prokurorisë, disa dhjetëra, ndoshta deri në njëqind, “snajperë të fundjavës” udhëtuan në Bosnjë pa arsye ideologjike, vetëm nga pasioni për armët dhe dëshira e sëmurë për adrenalinë.

Zbulimet konfirmojnë atë që të mbijetuarit e kanë thënë prej dekadash, sipas Albinko Hasiç, themelues i BosnianHistory.com, një platformë e përkushtuar eksplorimit historik të Bosnjë e Hercegovinës.
“Rrethimi i Sarajevës nuk ishte kurrë një betejë midis dy forcave të barabarta. Ishte një fushatë sistematike terrori kundër civilëve të rrethuar, të izoluar dhe të shënjestruar me qëllim,” thotë Hasiç për TRT World.
“Sarajevo përjetoi rrethimin më të gjatë të një kryeqyteti në historinë moderne, dhe mijëra njerëz u vranë duke bërë gjërat më të zakonshme: duke shkuar në punë, duke mbushur ujë, duke u përpjekur të mbijetonin.”

Gavazzeni, i cili dorëzoi një ankesë prej 17 faqesh në Milano, thotë se provat e tij përfshijnë dëshmi të oficerëve të inteligjencës, një raport të ish-kryetares së Sarajevës, Benjamina Kariç, madje edhe shënime arkivore që sugjerojnë se inteligjenca boshnjake u kishte dërguar paralajmërime shërbimeve ushtarake italiane në vitet 1993–1994.

Logjistika e supozuar e udhëtimeve tregon një rrjet: pjesëmarrësit mblidheshin në Trieste, fluturonin në Beograd përmes linjës jugosllave Aviogenex, dhe prej andej dërgoheshin në kodrat nën kontrollin serb, ku mund të hapnin zjarr.

Ndoshta aspekti më i shëmtuar: Gavazzeni thotë se ekzistonte një “listë çmimesh” për shënjestrat njerëzore.
Sipas ankesës, qëllimi ndaj një fëmije kushtonte më shumë sesa ndaj një burri; një burrë më shumë se një grua; ndërsa të moshuarit mund të qëlloheshin “falas”.

Shumat janë tronditëse. Sipas vlerave të sotme, pjesëmarrësit thuhet se paguanin mes 80.000 (€) dhe 100.000 (€) për një fundjavë.

Sipas Hasiç, ajo që sot quhet “Safari i Sarajevës” doli në pah përmes dëshmive të të mbijetuarve, raportimeve të kohës së luftës dhe dokumenteve të mëvonshme.
“Gjatë gjithë rrethimit, banorët raportonin se shihnin të huaj të panjohur në vijën e frontit, shpesh me armë të avancuara ose të pazakonta. Gazetarët vunë re raste ku vizitorët shoqëroheshin në pozicione snajperësh me pamje nga qyteti,” thotë ai.

Vlerësimi i përbashkët i provave tregon një model të qartë.
“Të mbijetuarit e kanë përmendur vazhdimisht. Gazetarët dokumentuan raste gjatë luftës. Oficerët e inteligjencës i regjistruan ato. Hetimi i fundit ka sjellë dëshmi të reja dhe materiale. Secila dëshmi e vetme mund të duket fragmentare, por së bashku krijojnë një pamje të plotë,” shpjegon Hasiç.

Bombardim i pandërprerë
Gjenocidi në Bosnjë u zhvillua përmes fushatave sistematike në qytete dhe fshatra, secila e dizajnuar për të zhdukur një popull nga trojet e tij. Rënia e Srebrenicës në korrik 1995 mbetet simboli më i errët i kësaj qëllimi.

Brenda pak ditësh, mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë muslimanë u ekzekutuan pasi paqeruajtësit holandezë u tejkaluan: ndodhi kështu masakra më e madhe në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore.
Familjet u ndanë, breza të tëra gjaku u shuan, dhe mijëra ende janë në kërkim të mbetjeve të të dashurve të tyre.

Por Srebrenica ishte vetëm njëra anë e gjenocidit. Në mbarë Bosnjën, civilët u rrethuan, u mbyllën në kampe apo u detyruan në arrati, ndërsa projekti i spastrimit etnik përparonte.

“Është e rëndësishme të kuptojmë se lufta e Bosnjës nuk ishte e izoluar nga bota. Luftëtarë të huaj, mercenarë dhe oportunistë nga shumë vende u përfshinë në konflikt,” thotë Hasiç.
“Disa erdhën për ideologji, të tjerë për para, e të tjerë vetëm për emocion. Pjesëmarrja e të huajve që paguan për të vrarë civilë është tronditëse, por përputhet plotësisht me ligësinë që shoqëroi luftën dhe mënyrën si të huajt e shfrytëzuan atë.”

Rrethimi i Sarajevës ishte një nga kapitujt më të errët të masakrës. Për gati katër vjet, civilët jetuan nën bombardime të përhershme dhe zjarr snajperësh. Mbi 11.000 njerëz u vranë në qytet, dhe rrugë si Bulevardi Mesa Selimoviç u bënë famëkeqe si “Rruga e Snajperëve”.

Në një botë terrori të përditshëm, ideja se turistë të huaj paguanin për të vrarë ka rihapur plagë për një shoqëri ende të traumatizuar.

Tani, me prokurorët e Milanos që po hetojnë për “vrasje me paramendim, të rënduar nga mizoria dhe arsye të ulëta”, ekziston një farë shprese te të mbijetuarit.
Disa besojnë se kjo mund të sjellë më në fund përgjegjësi për ata që e trajtuan jetën njerëzore si pre. Rihapja e këtij kapitulli mund të shërbejë edhe si moment kujtese dhe shërimi kolektiv.

“Hetimi i Milanos ka rëndësi sepse tregon gatishmëri për të shqyrtuar veprimet e qytetarëve të huaj që morën pjesë në krime gjatë rrethimit,” thotë Hasiç.
“Për shumë kohë, kjo pjesë e historisë u injorua.”

“Për të mbijetuarit, kjo sinjalizon diçka edhe më të rëndësishme: që drejtësia është ende e mundur, edhe pas tridhjetë vitesh. Kujton se krimet kundër civilëve nuk zhduken me kohën dhe nuk harrohen vetëm sepse kontinenti preferon të ecë përpara.”

Kur bëhet fjalë për Evropën, shton ai, ndikimet janë edhe më të thella.
“Dekada me radhë, lufta e Bosnjës u paraqit si një tragjedi në skajet e Evropës, diçka që ndodhte ‘atje larg’.”

Sipas Hasiç, hetimi e rrëzon këtë narrativë.
“Nëse qytetarë të vendeve evropiane vërtet udhëtuan në Sarajevë për të vrarë civilë për qejf, atëherë Evropa nuk ishte thjesht një vëzhguese. Ajo ishte e përfshirë në dhunë. Ishte pjesë e problemit.”

Ai thekson se ky moment mund të shtyjë qeveritë të rihapin çështje të mbyllura, të çlirojnë arkiva dhe më në fund të zbulojnë sa larg shtrihej ky rrjet përfshirjeje.

Po ashtu, mund ta detyrojë Evropën të përballet me paragjykimet dhe çnjerëzimin që ndikuan në vendimet e saj gjatë luftës, përfshirë ato që lanë civilët të pambrojtur.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë