| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Formimi i institucioneve në Kosovë, LDK-ja kërkon postin e presidentit
Deputetja Bajrami ka thënë se kërkesa e LDK-së për presidentin është e arsyeshme, pasi do të siguronte një balancim të pushteteve në vend.
Formimi i institucioneve në Kosovë, LDK-ja kërkon postin e presidentit
Formimi i institucioneve në Kosovë, LDK-ja kërkon postin e presidentit 

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia me të cilën u takua dje partia fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit 2026, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kanë bërë të ditur se kanë marrë ofertë për pjesëmarrje në Qeverinë e re, mirëpo ata dëshirojnë pozitën e presidentit, transmeton Anadolu.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, në një deklaratë për media ka thënë se kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po i ofron LDK-së pjesëmarrje në qeverinë e re, mirëpo ajo tha se një marrëveshje e mirë do të ishte që presidenti t’i takojë LDK-së.

Bajrami ka thënë se kërkesa e LDK-së për presidentin është e arsyeshme, pasi do të siguronte një balancim të pushteteve në vend.

“Mendoj se pozita e presidentit do të siguronte një balancim të pushteteve në Kosovë dhe do të ishte një siguresë si për Kosovën, ashtu edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, tha Bajrami e cila shtoi se kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me të drejtë insiston që pozita e presidentit t’i takojë LDK-së.

Ajo tha se ofertat aktuale të Kurtit për disa poste ministrore nuk përbëjnë garanci afatgjate.

“Por ka edhe marrëveshje të tilla si ajo që po e ofron tani zoti Kurti, me disa pozita në qeveri, të cilat në fakt mund t’i marrë edhe pas disa javësh. Ka edhe marrëveshje të tjera ku LDK-ja potencialisht mund ta marrë pozitën e presidentit dhe këtë e konsideroj një balancë të pushteteve për Kosovën. Atëherë, natyrisht, do ta konsiderojmë me shumë seriozitet”, deklaroi Bajrami.

Deputetja e zgjedhur theksoi se është kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja dhe se mbështet arritjen e një marrëveshjeje politike. Gjatë mbrëmjes së djeshme, LVV dhe LDK zhvilluan takim që zgjati rreth tre orë në Kuvendin e Kosovës pa një marrëveshje politike, por, siç u shpreh Kurti pas takimit “me vullnet dhe zell për të punuar bashkë në të ardhmen”.

Më 6 gusht nga ora 10:00 do të mbahet seanca konstituive e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës ku pritet të votohet për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit dhe më pas t’i hapet rrugë votimit të qeverisë së re dhe emërimit të një presidenti të ri.

LVV-ja mund ta votojë edhe e vetme qeverinë e re, mirëpo asaj i duhet ndihma edhe e deputetëve të opozitës, apo 2/3 e votave të përgjithshme, për emërimin e presidentit të ri, pozitë për të cilën vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë