Tërmet i fuqishëm me magnitudë 6,2 godet jugun e Filipineve

Tërmetet e mëparshme prekën mbi 66 mijë familje dhe shkaktuan 8 viktima.

Tërmet i fuqishëm me magnitudë 6,2 godet jugun e Filipineve / AP

Një tjetër tërmet i fortë goditi jugun e Filipineve të shtunën mbrëma, vetëm një ditë pasi dy tërmete të fuqishme tronditën provincën Davao Oriental.

Instituti Filipinas i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë (PHIVOLCS) njoftoi se tërmeti me magnitudë 6,2 ndodhi në orën 22:32 me orën lokale (14:32 GMT), në detin pranë bregut të Cagwait, në provincën Surigao del Sur, në një thellësi prej 10 kilometrash.

Dridhje u ndjenë gjithashtu në qytetin Davao dhe zonat përreth, duke shkaktuar shqetësim tek banorët që ende nuk kanë rimarrë veten nga tërmetet e një dite më parë. Autoritetet thanë se po vlerësojnë mundësinë e pasgoditjeve dhe dëmet e mundshme.

Më herët, mbi 66 mijë familje u prekën nga dy tërmete të fuqishme që goditën jugun e vendit me pak orë diferencë të premten, sipas zyrtarëve dhe mediave lokale.

Guvernatori i Davao Oriental, Nelson Dayanghirang, deklaroi të shtunën për ABS-CBN se rreth 100 shtëpi janë shkatërruar plotësisht dhe afërsisht 500 të tjera janë dëmtuar pjesërisht.

Qeveria provinciale e Davao Oriental, rajoni më i prekur, ka shpallur gjendjen e emergjencës.

Sipas Këshillit Kombëtar për Reduktimin dhe Menaxhimin e Rreziqeve nga Fatkeqësitë, qindra persona janë evakuuar në zona të sigurta pasi shtëpitë e tyre janë dëmtuar. Të paktën tetë persona raportohen të kenë humbur jetën.

Një tjetër tërmet i fortë, me magnitudë 6,7, goditi rajonin jugor Mindanao vetëm disa orë pas një tërmeti 7,4 ballësh në të njëjtën zonë, i cili shkaktoi një paralajmërim për cunami që më pas u hoq, duke detyruar evakuime përgjatë vijës bregdetare.

Autoritetet ende nuk kanë publikuar një vlerësim të plotë për dëmet në infrastrukturë dhe bujqësi. Deri të shtunën janë regjistruar mbi 800 pasgoditje, ndërsa një tjetër tërmet, me magnitudë 5,8, u ndje në ujërat pranë Davao Oriental.