| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Samiti COP31 në Türkiye vazhdon me diskutime për qytete më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike
Liderët do të diskutojnë reduktimin e metanit dhe gazeve të tjera serrë, ndërsa punimet hap edhe Forumi i Biznesit i COP31, ku do të diskutohet roli i sektorit privat në financimin dhe realizimin e projekteve në fushën e energjisë së pastër.
Samiti COP31 në Türkiye vazhdon me diskutime për qytete më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike
Samiti i klimës COP31 në Türkiye vazhdon me diskutime për qytete më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike / َAA

Samiti i OKB-së për klimën COP31 po vazhdon sot në qytetin mesdhetar turk të Antalyas, ku liderët botërorë po qëndrojnë për ditën e dytë dhe të fundit të Samitit të Liderëve në kuadër të konferencës për të diskutuar mënyrat e rritjes së qëndrueshmërisë së qyteteve ndaj ndryshimeve klimatike dhe zgjerimit të përdorimit të energjisë elektrike në ndërtesa dhe transport.

Qeveritë, autoritete lokale, biznese dhe investitorë pritet të diskutojnë financimin e ndërtesave me efikasitet energjetik, modernizimin e rrjeteve elektrike dhe masat për t’i ndihmuar qytetet t’u bëjnë ballë kushteve ekstreme të motit.

Gjatë ditës pritet të bëhen njoftime të reja për financime dhe investime.

Elektrifikimi është ndër prioritetet e agjendës së veprimit të Türkiyes për COP31. Në qytete, kjo mund të përfshijë zëvendësimin e sistemeve të ngrohjes me lëndë djegëse fosile me pompa elektrike të nxehtësisë dhe kalimin në autobusë elektrikë. Këto ndryshime mund të ndihmojnë në uljen e emetimeve, ndërsa gjithnjë e më shumë energji elektrike sigurohet nga burime të pastra. Modernizimi i rrjeteve elektrike mund të ndihmojë gjithashtu në përballimin e rritjes së kërkesës për energji.

Liderët sot do të takohen gjithashtu për të diskutuar reduktimin e metanit dhe gazeve të tjera serrë, me qëllim kufizimin e ngrohjes globale në periudhën afatshkurtër. Pritet të shqyrtojnë përparimin në përmbushjen e zotimeve të mëparshme, të shpallin angazhime të reja dhe të diskutojnë mënyrat e financimit të tyre.

Po ashtu sot, hap punimet Forumi i Biznesit i COP31, i cili do të mbledhë drejtues të bizneseve për të diskutuar rolin e sektorit privat në financimin dhe realizimin e projekteve në fushën e energjisë së pastër, infrastrukturës urbane dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.

Konferenca e OKB-së u hap më 9 nëntor dhe do të vazhdojë deri më 20 nëntor. Türkiye mban presidencën e COP31, ndërsa Australia udhëheq negociatat zyrtare, të cilat do të vazhdojnë edhe pas përfundimit të samitit të liderëve gjatë ditës së sotme.

Këto bisedime përfshijnë uljen e emetimeve, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe financimin për klimën, përfshirë mënyrat për të ndihmuar vendet në zhvillim të financojnë dhe zbatojnë planet e tyre klimatike. Agjenda më e gjerë e veprimit e presidencës përfshin gjithashtu mbetjet zero, sigurinë ushqimore, mbrojtjen e oqeaneve dhe sistemet shëndetësore rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.