Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka kërkuar që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të dënohet me 6 vjet burgim, në një gjykim ku janë të përfshirë pesë të akuzuar për veprën penale pengim i drejtësisë.
Në fjalën përfundimtare, ZPS-ja ka kërkuar që edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu të dënohen me nga tre vjet burgim secili, ndërsa Hajredin Kuçi me nëntë muaj burgim.
Prokuroria ka thënë se, bazuar në provat dhe faktet e paraqitura, kërkon nga gjykata një vendim në përputhje me ligjin, provat dhe faktet. Sipas saj, të akuzuarit duhet të shpallen fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës, duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprave penale dhe tërësinë e faktorëve që ndikojnë në përcaktimin e dënimit të përshtatshëm për këtë rast.
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë zhvillohen dy procese gjyqësore të ndara.
Në procesin kryesor, ku Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, më 16 shtator 2026 është caktuar shpallja e aktgjykimit. Ndërsa procesi i dytë ka të bëjë me administrimin e drejtësisë, përkatësisht me akuza për vepra penale që lidhen me pengimin e procesit gjyqësor
Gjykata Speciale me seli në Hagë u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por, vepron me personel ndërkombëtar. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.



















