Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë njoftoi se nga 24 vatrat e zjarrit të raportuara gjatë 24 orëve të fundit, 7 vijojnë aktive, ndërsa 2 të tjera janë nën monitorim në zona të ndryshme të vendit.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar gjithsej 472 forca operacionale dhe 28 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 129 efektivë, 3 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”. Aktualisht në terren ndodhen 140 efektivë të FA-së, një automjet zjarrfikës, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Në malin e Dajtit në Tiranë, zjarri vijon të jetë aktiv në të dyja anët e kreshtës, por situata është nën kontroll. Operacioni për izolimin e vatrës po zhvillohet me forcat operacionale, të mbështetura nga 50 efektivë të FA-së dhe një helikopter të Forcës Ajrore. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Vakumone të Tiranës, zjarri është izoluar dhe situata paraqitet nën kontroll, ndërsa vatra në Priskë vijon të monitorohet.
Në Gurë-Lurë të Dibrës po zhvillohet një nga operacionet më të mëdha. Në terren janë angazhuar 180 forca bashkiake, 14 punonjës të Policisë dhe 30 efektivë të FA-së, me mbështetjen e dy avionëve “Air Tractor”. Korridoret e hapura kanë ndihmuar në frenimin e përhapjes së zjarrit drejt banesave. Ndërhyrja vijon me synim izolimin e plotë të vatrës dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë Helmës, në zonën Dibër/Bulqizë, zjarri është shuar nga krahu i Bulqizës, ndërsa mbetet aktiv në drejtim të Selishtës. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Bruç të Matit, ndërhyrja vijon në një terren shkëmbor dhe të vështirë. Operacioni është përforcuar sot me 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Lufaj të Mirditës, vatra mbetet aktive me intensitet të ulët dhe me një përparim të lehtë. Në operacion marrin pjesë strukturat e MZSh-së, Policia, Shërbimi Pyjor, forcat bashkiake dhe banorët. Ndërhyrja mbështetet nga një helikopter, dy automjete zjarrfikëse të FA-së dhe 9 efektivë ushtarakë.
Në Fushë-Lajë të Pukës, operacioni vijon në një terren të vështirë. Erërat kanë favorizuar përhapjen e flakëve drejt pyjeve të Tërbunit dhe Gjegjanit. Në terren janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse, 9 efektivë të MZSh-së, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 40 forca vendore, 15 vullnetarë, 30 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në tërësi, situata po menaxhohet përmes ndërhyrjeve tokësore dhe ajrore, me fokus izolimin e vatrave aktive dhe mbrojtjen e zonave të banuara. Në disa prej zonave zjarret janë vënë nën kontroll ose janë izoluar, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat pranë vatrave kryesore aktive.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.



















