Katari: Zgjidhja për krizën e Ngushticës së Hormuzit "duhet të jetë rajonale"
“Siguria e Ngushticës së Hormuzit nuk duhet të kërcënohet nga asnjë palë dhe nuk duhet të ketë parakushte për rihapjen e saj", thotë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme.
Katari tha të martën se çdo zgjidhje për krizën që rrethon Ngushticën e Hormuzit "duhet të jetë rajonale", me pjesëmarrjen e shteteve bregdetare dhe atyre që varen nga rruga ujore.
"Të gjithë duhet të punojnë drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme për këtë çështje", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari, në deklaratat e transmetuara nga televizioni katarian Al Jazeera.
"Siguria e Ngushticës së Hormuzit nuk duhet të kërcënohet nga asnjë palë dhe nuk duhet të ketë parakushte për rihapjen e saj", shtoi ai.
"Gjuha e kërcënimeve është e papranueshme dhe ne i trajtojmë të gjitha kërcënimet në një mënyrë që siguron sigurinë e vendit tonë", tha zëdhënësi.
Ai theksoi se nuk ka pasur "asnjë problem" në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit, duke vënë në dukje se pasojat e mbylljes së saj shkojnë përtej tregjeve të energjisë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, tha se armëpushimi midis Iranit dhe ShBA-së "duhet të vazhdojë", duke shtuar se fokusi tani është në konsolidimin e armëpushimit.
Duke bërë thirrje për zgjidhjen e krizave përmes dialogut, ai shprehu mbështetjen e Dohas për përpjekjet e Libanit për të ulur përshkallëzimin dhe për t'i dhënë fund luftës izraelite atje.
Armiqësitë rajonale janë përshkallëzuar që kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë dhe plagosur mijëra njerëz.
Teherani nisi sulme hakmarrëse ndaj Izraelit, Irakut, Jordanisë dhe vendeve të Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane dhe kufizoi kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit përpara se të shpallej një armëpushim dyjavor javën e kaluar.
ShBA-ja dhe Irani zhvilluan bisedime të rralla të drejtpërdrejta në Islamabad të Pakistanit, të shtunën, me qëllim përfundimin e konfliktit të tyre, por bisedimet përfunduan të dielën në mëngjes pa ndonjë marrëveshje.