Prelati i Patrikanës Latine në Jerusalem: Vetëkrahasimi i Trumpit me Krishtin, i papranueshëm

Presidenti amerikan shpërndau në rrjetin e tij “Truth Social” disa pamje të bëra me inteligjencë artificiale, duke krahasuar vetën me Jezu Krishtin.

By
Zëvendëspatriarku i Kishës Latine në Kuds: Krahasimi me Krishtin nga Trumpi është i papranueshëm / AA

Akti i vetëkrahasimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me Jezu Krishtin, është konsideruar i “papranueshëm” nga zëvendëspeshkopi i Patrikanës Latine në Jerusalem, William Shomali.

“Nëse e konsiderojmë Jezu Krishtin si model, ne duhet ta imitojmë atë, por kjo duhet të bëhet përmes përulësisë, frymës së shërbimit dhe vetëmohimit, jo përmes dëshirës për dominim, autoritetit dhe duke margjinalizuar të tjerët”, tha prelati Shomali për Agjencinë Anadolli (AA).

“Prandaj problem nuk është që ai (Trumpi) provon të imitojë Jezu Krishtin, por përpjekja e tij për ta prezantuar veten si një supernjeri dhe figurë e madhe. Kjo nuk është e pranueshme dhe refuzohet”, shtoi ai.

Duke theksuar se sjellja e presidentit amerikan gjatë luftës së fundit me Iranin ka shkelur parimet themelore të krishtera, prelati katolik palestinez vuri në pah se Trumpi, “për fat të keq, po minon parimin themelor të besimit të krishterë, që është të duash fqinjin si veten tënde”.

Shomali shprehu gjithashtu kundërshtimin e Vatikanit dhe Kishës Katolike ndaj luftës, duke shtuar se atë e kundërshtojnë si Papa ashtu edhe shumica e peshkopëve amerikanë.

Të dielën, Trumpi nisi një sulm të gjerë kundër Papa Leonit XIV, duke e quajtur atë “të dobët ndaj krimit” dhe “politikës së jashtme”, duke pretenduar se Kisha Katolike e zgjodhi atë vetëm për të menaxhuar marrëdhëniet me administratën Trump.

Presidenti Trump gjithashtu shpërndau në rrjetin e tij “Truth Social” disa pamje të bëra me inteligjencë artificiale, duke krahasuar vetën me Jezu Krishtin.