| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
BE-ja paralajmëron se parimet e Kartës së OKB-së janë “nën sulm të drejtpërdrejtë”
Në deklaratën e publikuar nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm, kryediplomatja e Bashkimit Evropian tha se e drejta ndërkombëtare po shtrembërohet, shpërfillet ose shkelet hapur.
BE-ja paralajmëron se parimet e Kartës së OKB-së janë “nën sulm të drejtpërdrejtë”
BE-ja paralajmëron se parimet e Kartës së OKB-së janë nën “sulm të drejtpërdrejtë” / AA

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka deklaruar se bota ndodhet në një udhëkryq kritik dhe rendi ndërkombëtar po përballet me presion në rritje.

“Bota ndodhet në një moment kritik”, theksoi Kallas me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Multilateralizmit dhe Diplomacisë për Paqe.

Në deklaratën e publikuar nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm, Kallasi tha se e drejta ndërkombëtare po shtrembërohet, shpërfillet ose shkelet hapur, ndërsa institucionet e krijuara për të ruajtur paqen dhe sigurinë po sfidohen.

“Parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara janë nën sulm të drejtpërdrejtë”, theksoi Kallas, duke përmendur konfliktet, përfshirë luftën Rusi-Ukrainë dhe luftërat në Lindjen e Mesme e Sudan, si shembuj të presionit në rritje mbi rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Ajo shtoi se OKB-ja mbetet e vetmja kornizë universale me legjitimitetin për të përfaqësuar interesin global, por theksoi se vetëm legjitimiteti nuk mjafton.

Kallasi tha se multilateralizmi nuk po dështon sepse është i vjetërsuar, por sepse parimet e tij nuk po respektohen ose zbatohen.

BE-ja, shtoi ajo, mbetet e përkushtuar për forcimin e sistemit multilateral, duke bërë thirrje që ai të bëhet më efektiv, gjithëpërfshirës dhe i përgjegjshëm.

Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e proceseve gjithëpërfshirëse të paqes dhe përpjekjeve ndërmjetësuese që përfshijnë aktorët lokalë, gratë, shoqërinë civile dhe të rinjtë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë