Kryediplomati sirian nis vizitën e parë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar pas disa dekadash
Vizita vjen si pjesë e përpjekjeve të administratës së re siriane për t'i dhënë fund izolimit ndërkombëtar të vendit nën regjimin e mëparshëm të Bashar al-Assad.
Ministri sirian i Punëve të Jashtme, Asaad al-Shaibani, ka filluar një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, udhëtimi i parë i tillë në dekada.
"Nën udhëheqjen e presidentit Ahmad al-Sharaa, ne po udhëtojmë për në Mbretërinë e Bashkuar në vizitën tonë të parë zyrtare", tha al-Shaibani në X.
"Ne mbajmë me vete shpresat dhe aspiratat e popullit sirian për të ndërtuar një komb që mbron të ardhmen e fëmijëve tanë dhe gjeneratave që do të vijnë”, shtoi ai.
Ministria e Punëve të Jashtme, pa e specifikuar agjendën, tha se Shaibani do të zhvillojë bisedime me një numër zyrtarësh britanikë gjatë vizitës së tij.
Vizita vjen si pjesë e përpjekjeve të administratës së re siriane për t'i dhënë fund izolimit ndërkombëtar të vendit nën regjimin e mëparshëm të Bashar al-Assad.
Udhëtimi vjen vetëm dy ditë pasi presidenti Sharaa vizitoi Shtëpinë e Bardhë, ku u takua me presidentin e ShBA-së, Donald Trump.
Në mesin e muajit tetor, Sharaa gjithashtu zhvilloi bisedime në Kremlin me presidentin rus, Vlladimir Putin.
Më 7 nëntor, ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar hoqën sanksionet ndaj presidentit Sharaa, një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së ndërmori një veprim të ngjashëm.