| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Maqedonia e Veriut: Mungesa e vullnetit politik te vendet fqinje pengon rrugën evropiane
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska-Davkova, theksoi se 80 për qind e qytetarëve janë kundër ndryshimeve kushtetuese, ndërsa 70 për qind e mbështesin integrimin në BE.
Maqedonia e Veriut: Mungesa e vullnetit politik te vendet fqinje pengon rrugën evropiane
Maqedonia e Veriut: Mungesa e vullnetit politik te vendet fqinje pengon rrugën evropiane./Reuters

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, vlerëson se ngecja në integrimin evropian të vendit kryesisht vjen si pasojë e mungesës së vullnetit politik te disa vende fqinje, dhe jo e problemeve që lidhen me realitetin.

Siljanovska-Davkova, gjatë një paneli në Samitin e Zgjerimit të Euronews 2026, kujtoi se Maqedonia e Veriut në vitin 2018 e ndryshoi emrin me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës.

"Tani duhet ta ndryshojmë sërish Kushtetutën. Jemi kampionë në ndryshimin e Kushtetutës - 36 herë. Shumica e amendamenteve janë imponuar", tha ajo.

"Legjitimiteti im buron nga qytetarët dhe u përket atyre. Si mund t'i premtoj BE-së se do ta ndryshojmë Kushtetutën? Unë nuk jam monarke absolute", deklaroi 

Siljanovska-Davkova lidhur me pritshmëritë e Bashkimit Evropian (BE) për ndryshimet kushtetuese.

Ajo u pyet edhe se çfarë mendojnë sot qytetarët, pas premtimeve shumëvjeçare për një të ardhme evropiane, dhe nëse ende besojnë në të. Siljanovska-Davkova theksoi se 80 për qind e qytetarëve janë kundër ndryshimeve kushtetuese, ndërsa 70 për qind mbështesin integrimin në BE.

"Maqedonia e Veriut historikisht, kulturalisht dhe gjeografikisht ka qenë gjithmonë pjesë e Evropës dhe se meriton të jetë pjesë e saj edhe politikisht", tha ajo. Sipas saj, vendi e ka harmonizuar plotësisht politikën e tij të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së.

Siljanovska-Davkova mbështeti integrimin gradual në BE, duke theksuar se qasja në tregun e përbashkët, digjitalizimi dhe mekanizmat e tjerë të BE-së do t'u mundësonin vendeve kandidate të mos ndiheshin të izoluara nga proceset evropiane.

Duke iu referuar sfidave të sigurisë, veçanërisht atyre që vijnë nga Rusia, ajo tha se roli i vendit është roli i NATO-s. Sa u përket marrëdhënieve me Bullgarinë, Siljanovska-Davkova theksoi se zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut, por se ai duhet të bazohet në barazinë mes bashkëbiseduesve.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë