Autoritetet izraelite kanë shpallur tender për ndërtimin e 732 njësive të banimit në vendbanimin Gvaot, në perëndim të Betlehemit, në jug të Bregut Perëndimor, njoftoi sot një institucion qeveritar palestinez.
Komisioni për Rezistencën ndaj Kolonizimit dhe Murit tha në një deklaratë se autoritetet izraelite e publikuan tenderin të dielën, si pjesë e fazës së parë të një projekti për zgjerimin e vendbanimeve ilegale në rajonin e Betlehemit.
Tenderi përfshin ndërtimin e ndërtesave shumëkatëshe të banimit, objekteve tregtare dhe institucioneve publike, tha komisioni, duke iu referuar të dhënave zyrtare të Autoritetit Izraelit të Tokës. Sipas komisionit, ofertat do të pranohen nga 1 dhjetori ndërsa afati i fundit për dorëzimin e tyre është 28 dhjetori.
Autoritetet izraelite kanë publikuar një tender të veçantë për tokën e destinuar për veprimtari tregtare, objekte punësimi dhe ndërtesa publike në të njëjtin lokacion. Komisioni tha se të dy tenderët tregojnë planet për zgjerimin e vendbanimit përtej ndërtimeve të banimit, përmes krijimit të objekteve ekonomike dhe shërbimeve.
Ai theksoi se shpallja e tenderëve përfaqëson një fazë të avancuar procedurale drejt zbatimit të planeve të miratuara më parë për vendbanimet, duke u mundësuar kompanive dhe zhvilluesve të konkurrojnë për kontratat e zhvillimit të tokës.
Sipas shqyrtimit të të dhënave të Autoritetit Izraelit të Tokës nga komisioni, autoritetet izraelite kanë shpallur të paktën 28 tenderë për toka në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, nga fillimi i vitit 2026 deri më 8 nëntor.
Prej tyre, 18 tenderë përfshijnë 7.815 njësi banimi ndërsa 10 të tjerë kanë të bëjnë me projekte që nuk janë të karakterit rezidencial. Aktivitetet e vendbanimeve izraelite janë intensifikuar në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë zgjerimin e vendbanimeve ekzistuese, krijimin e pikave të reja të banimit, marrjen e tokave palestineze dhe shembjen e objekteve palestineze.
Rreth 770 mijë kolonë izraelitë jetojnë në qindra vendbanime dhe pika të paligjshme në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë rreth 250 mijë në Kudsin Lindor.
Sipas Rezolutës 2334 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar në vitin 2016, vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga viti 1967, përfshirë Kudsin Lindor, nuk kanë vlefshmëri ligjore dhe përbëjnë shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare.























