Kulla Eifel është mbyllur për vizitorët për shkak të një greve mbarëkombëtare në Francë.
“Për shkak të lëvizjes së grevës kombëtare, Kulla Eifel është e mbyllur sot”, thuhet në njoftimin e publikuar për vizitorët në faqen zyrtare të monumentit, ku personave që kanë blerë bileta elektronike u këshillohet të kontrollojnë postat elektronike të tyre.
Mbyllja vjen në kohën kur sindikatat dhe organizatat studentore po organizojnë greva dhe demonstrata në mbarë vendin për çështje që lidhen me pagat, fuqinë blerëse dhe kushtet në arsim.
Sipas parashikimeve, nga 500 mijë deri në 700 mijë persona pritej të merrnin pjesë në demonstratat jashtë Parisit, ndërsa në kryeqytet pritej të merrnin pjesë nga 40 mijë deri në 80 mijë persona.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se autoritetet franceze kanë angazhuar 70 mijë policë dhe xhandarë për ta ruajtur rendin publik gjatë mobilizimit.
Greva është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë protestash, e cila nisi me demonstratat studentore në mesin e shtatorit dhe më vonë u zgjerua duke i përfshirë sindikatat e punëtorëve dhe grupe të tjera.






















