Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, u takua gjatë një mëngjesi pune me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, me të cilën ka diskutuar fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian (BE) dhe detyrimet që duhet të përmbushen për realizimin e synimit strategjik të vendit, anëtarësimin e plotë në BE.
Millatoviq ka thënë se Mali i Zi duhet ta ruajë ritmin e mbylljes së kapitujve të negociatave, me synimin që deri në verën e vitit të ardhshëm të nënshkruhet traktati i anëtarësimit, pas së cilës do të pasonte ratifikimi nga shtetet anëtare dhe krijimi i kushteve për anëtarësim deri në vitin 2028.
Komisionerja Kos ka vlerësuar se momenti në të cilin ndodhet Mali i Zi ka rëndësi historike, duke theksuar se ajo që po ndodh tani është diçka që do të shënohet në librat e historisë, njoftoi Zyra e Presidentit të Malit të Zi.
Ajo ka vlerësuar kontributin e Millatoviqit në promovimin e Malit të Zi dhe rrugës së tij evropiane përmes angazhimit intensiv diplomatik. Ajo ka theksuar se çdo vizitë e Millatoviqit në shtetet anëtare të BE-së kontribuon në rritjen e ndërgjegjësimit për përparimin që Mali i Zi po shënon në rrugën e tij evropiane.
Millatoviq ka thënë se Mali i Zi ka mundësinë të bëhet anëtari i ardhshëm i BE-së dhe kështu ta dëshmojë besueshmërinë e politikës së zgjerimit. Ai ka theksuar se faza përfundimtare e integrimit evropian duhet të shoqërohet me një konsensus të gjerë kombëtar dhe me forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike.
"Na takon neve t'i përfundojmë reformat dhe të dëshmojmë se jemi të gatshëm për anëtarësim. Rruga evropiane e Malit të Zi tani duhet të jetë një detyrë e përbashkët shtetërore", ka deklaruar Millatoviq.


























