RAJONI
2 minuta leximi
Valtonen: Procesi i dialogut Prishtinë-Beograd i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal
Kryediplomatja e Finlandës Elina Valtonen tha se e kanë mirëpritur emërimin e kryeparlamentarit të ri në Kosovë, por, presin që procesi i konstituimit të Kuvendit të përmbyllet në përputhje me Kushtetutën.
Valtonen: Procesi i dialogut Prishtinë-Beograd i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal
Valtonen: Procesi i dialogut Prishtinë-Beograd i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal / AA
16 Shtator 2025

Ministrja e Punëve të Jashtme të Finlandës, njëkohësisht Kryesuese e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Elina Valtonen, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ka thënë se presin konstituimin e Kuvendit të Kosovës në përputhje me Kushtetutën si dhe formimin e qeverisë së re, për të vazhduar bashkëpunimin, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media pas takimeve zyrtare që Valtonen zhvilloi në Kosovë, ajo tha se e kanë mirëpritur emërimin e kryeparlamentarit të ri në Kosovë, por, presin që procesi i konstituimit të Kuvendit të përmbyllet në përputhje me Kushtetutën dhe të formohet qeveria e re për të vazhduar bashkëpunimin.

"Mirëpresim zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, gjithashtu shpreh shpresën që procesi i formimit të Kuvendit në linjë me Kushtetutën të përfundojë dhe të shohim një qeveri të re së shpejti, me të cilën ne presim që të vazhdojmë bashkëpunimin", theksoi Valtonen.

Gjatë vizitës së saj në Kosovë, Valtonen theksoi se ka diskutuar me aktorë në Kosovë edhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ajo tha se procesi i dialogut ka rol të rëndësishëm në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

"Me emërimin e Përfaqësuesit të ri të Posaçëm të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, riafirmimi i përkushtimit ndaj këtij procesi dhe avancimi i zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese janë thelbësore për të siguruar përparim të prekshëm. OSBE-ja mbetet e gatshme të mbështesë këto përpjekje, pasi Misioni këtu ka potencialin të japë kontribute të mëtejshme në përputhje me mandatin e tij", theksoi Valtonen.

Valtonen theksoi se u prit në takim gjatë ditës nga presidentja Vjosa Osmani, me të cilën ka zhvilluar një diskutim konstruktiv për qeverisjen e mirë, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve.

Ajo gjithashtu tha se me presidenten kosovare ka folur edhe për marrëdhëniet miqësore dhe të veçanta midis Finlandës dhe Kosovës.

Ministrja finlandeze e Punëve të Jashtme, Elina Valtonen, të hënën ka arritur në Kosovë, ndërkaq sot udhëton drejtë Beogradit për të zhvilluar takime edhe atje, me qëllim të forcimit të partneritetit të OSBE-së me rajonin.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë