Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kanë deklaruar se dy vendet po hyjnë në një fazë të re marrëdhëniesh, të shënuar nga forcimi i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe i sigurisë.
Gjatë vizitës së parë zyrtare të presidentit francez në Mal të Zi, Macron konfirmoi mbështetjen e fortë për rrugën evropiane të Podgoricës, ndërsa Millatoviq vlerësoi se vizita përbën një ngjarje me rëndësi të veçantë shtetërore dhe një dëshmi të përparimit të vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Millatoviq e priti Macronin në Cetinje, duke theksuar se bëhet fjalë për një vizitë historike dhe një njohje të rëndësishme të miqësisë mes dy shteteve dhe aspiratave evropiane të Malit të Zi.
Ai theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë rrënjë të thella historike, duke përmendur lidhjet që nga shekulli XIX dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1879, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të Francës, përfshirë njohjen e pavarësisë së rikthyer të Malit të Zi në vitin 2006.
Duke folur për bashkëpunimin aktual, Milatoviq tha se dy shtetet po shënojnë marrëdhëniet më dinamike deri tani, të cilat i përshkroi si “epokë e artë partneriteti”, me projekte konkrete në shëndetësi, mbrojtje dhe siguri digjitale.
Është paralajmëruar edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje për ndërtimin e një qendre klinike universitare në Podgoricë, si dhe vazhdimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit të kapaciteteve kibernetike.
Macron tha se Franca synon të zhvillojë një partneritet ambicioz me Malin e Zi, duke pranuar se në periudhën e kaluar nuk ka qenë mjaftueshëm e pranishme në vend.
Ai theksoi se gjatë vizitës do të nënshkruhen marrëveshje që duhet të sjellin projekte konkrete në energjetikë, infrastrukturë dhe shëndetësi, me mbështetjen e kompanive franceze.
Presidenti francez gjithashtu theksoi rëndësinë e luftës së përbashkët kundër dezinformimit dhe ndikimeve të huaja, duke shtuar se Franca dëshiron ta ndajë përvojën e saj në mbrojtjen e institucioneve demokratike.
Duke folur për perspektivën evropiane, Macron përsëriti mbështetjen e fortë të Francës për anëtarësimin e Malit të Zi në BE, duke vlerësuar progresin e arritur në negociata.
“Franca mbetet pranë Malit të Zi në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit në BE”, tha Macron.
Vizita po zhvillohet në prag të Samitit BE - Ballkani Perëndimor, që do të mbahet më 5 qershor në Tivat, me pjesëmarrjen e liderëve të BE-së dhe vendeve të rajonit, ku temat kryesore do të jenë zgjerimi, Plani i Rritjes dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal.
Samiti do të drejtohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ndërsa nikoqir është presidenti Millatoviq.























