| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Begaj nga Dubrovniku: Nisma e Tri Deteve prodhon lidhje, investime dhe ndikim real
“Ballkani Perëndimor nuk është më periferi, por front strategjik i Evropës”, theksoi kreu i shtetit shqiptar në fjalën e tij me fokus rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Begaj nga Dubrovniku: Nisma e Tri Deteve prodhon lidhje, investime dhe ndikim real
Begaj nga Dubrovniku: Nisma e Tri Deteve prodhon lidhje, investime dhe ndikim real / ATA

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë në Samitin e 11-të të Nismës së Tri Deteve, të zhvilluar në Dubrovnik të Kroacisë, platformë që bashkon 13 vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Shqipëria, që prej vitit të kaluar, mban statusin e anëtarit të asociuar në këtë nismë, e cila synon forcimin e ndërlidhshmërisë, inovacionit, infrastrukturës dhe konkurrencës industriale.

Në fjalën e tij, Begaj bëri apel për arritjen e rezultateve konkrete që përshpejtojnë zhvillimin ekonomik rajonal dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Ballkani Perëndimor nuk është më periferi, por front strategjik i Evropës”, theksoi kreu i shtetit në fjalën e tij me fokus rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Begaj e cilësoi Nismën e Tri Deteve si një histori suksesi, e cila është shndërruar në një platformë konkrete zhvillimi.

“Një dekadë nuk është një kohë e gjatë në histori, por është e mjaftueshme për të testuar idetë. Sot kjo platformë po prodhon lidhje reale, investime reale dhe ndikim real”, u shpreh ai.

Duke folur për sfidat aktuale, Begaj theksoi se Evropa ndodhet në një moment vendimtar.

“Gjeopolitika, pasiguria ekonomike dhe transformimet në energji dhe teknologji kërkojnë jo vetëm koordinim, por lidership, jo vetëm qëndrueshmëri, por vizion”, deklaroi Begaj.

Procesi i integrimit i Ballkanit Perëndimor

Presidenti theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një investim për të ardhmen.

“Integrimi i rajonit tonë nuk është një çështje dytësore, por pjesë e zgjidhjes për një Evropë më të sigurt dhe më konkurruese”, tha Begaj.

Duke u ndalur te Shqipëria, ai vuri në dukje rëndësinë e projekteve infrastrukturore dhe të ndërlidhshmërisë për zhvillimin ekonomik.

“Lidhshmëria nuk është një qëllim abstrakt. Ajo përcakton se si rriten ekonomitë dhe si zhvillohen rajonet”, u shpreh ai.

Presidenti përmendi gjithashtu projekte konkrete në fushën e energjisë dhe transportit, duke i cilësuar ato si transformuese për krijimin e stabilitetit dhe tërheqjen e investimeve.

Në përfundim, ai rikonfirmoi objektivin strategjik të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 mbetet busulla jonë strategjike”, tha Begaj.

Presidenti përfaqëson për herë të dytë Shqipërinë me statusin e shtetit partner të asociuar në Samitin e Nismës së TrI Deteve.

Në deklaratën e miratuar nga Samiti i Dubrovnikit u theksua se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe begatinë në Evropë.

Deklarata përsëriti thirrjen për një proces pranimi transparent, të bazuar në meritë, të besueshëm dhe të parashikueshëm për vendet kandidate, me referencë të veçantë për Shqipërinë.

BURIMI:ATA