Komisioni Evropian ka njoftuar mbështetjen e tij për objektivin e përcaktuar nga Presidenca e Türkiyes e Konferencës së 31-të të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP31), për të rritur pjesën e energjisë elektrike në konsumin përfundimtar global të energjisë në 35 për qind deri në vitin 2035.
Nisma njihet si objektivi “35 deri në 35". Ministri irlandez për Klimën, Energjinë dhe Mjedisin, Darragh O’Brien, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, i bëri këto deklarata në një konferencë për media të organizuar nga KE-ja në margjinat e COP31, që po mbahet në Antalya të Türkiyes.
O’Brien tha se kalimi drejt përdorimit më të gjerë të energjisë elektrike, të prodhuar nga burime të pastra të energjisë, është thelbësor për tranzicionin energjetik. Ai shtoi se nisma e Presidencës së COP31 për elektrifikimin përbën një hap të rëndësishëm në këtë drejtim.
“Jam i kënaqur të njoftoj se BE-ja mbështet objektivin 35 deri në 35 të Presidencës së COP31”, tha ai. Duke theksuar se COP31 duhet të sjellë përparim në kalimin drejt energjisë së pastër dhe të përqendrohet në hapa konkretë për të siguruar ulje të qëndrueshme të emetimeve, O’Brien nënvizoi se “Evropa është e bashkuar për këtë çështje”.
O’Brien theksoi nevojën për të përshpejtuar largimin nga lëndët djegëse fosile në mënyrë të drejtë, të rregullt dhe të barabartë, duke nënvizuar se BE-ja është plotësisht e përkushtuar ndaj këtij procesi.
“Gjithashtu, mirëpresim udhërrëfyesin për largimin nga lëndët djegëse fosile, të paraqitur nga Presidenca e COP30. Si Irlandë, këtë javë do të publikojmë udhërrëfyesin tonë kombëtar për largimin nga lëndët djegëse fosile. Presim gjithashtu me padurim të bashkëorganizojmë Konferencën e dytë për Largimin nga Lëndët Djegëse Fosile (TAFF), së bashku me miqtë tanë nga Tuvalu, në vitin 2027”, tha ai.
Duke kujtuar se Irlanda kishte prezantuar gjithashtu planin e saj për elektrifikimin në kuadër të COP31, O’Brien tha se masat dhe investimet e parashikuara në këtë plan duhet të zbatohen. Ai theksoi rëndësinë e qasjes në financimin për klimën, duke nënvizuar se fondet duhet të arrijnë te vendet dhe komunitetet më të cenueshme ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që COP31 të përqendrohet në zbatimin dhe përshpejtimin e zbatimit të vendimeve për të cilat kemi rënë dakord që nga Marrëveshja e Parisit”, tha O’Brien.
“BE-ja do të vazhdojë t'u përmbahet angazhimeve të saj”
Komisioneri Evropian për Klimën, Neutralitetin Klimatik dhe Rritjen e Pastër, Wopke Hoekstra theksoi nevojën për rezultate konkrete në COP31.
“Jemi këtu për të përmbushur angazhimet që bota ka marrë për tranzicionin e gjelbër, largimin nga lëndët djegëse fosile, trefishimin e kapacitetit të energjisë së rinovueshme, dyfishimin e efikasitetit energjetik, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe financimin”, tha ai.
Duke kujtuar se BE-ja nisi nismën e saj “Elektrifikimi tani” në qershor të vitit të kaluar, Hoekstra tha se elektrifikimi është rruga përpara.
“Pra, drejtimi që duhet të ndjekim është elektrifikimi. Sa më shumë ta përdorim energjinë elektrike, aq më shpejt përparojmë dhe sa më shumë ta mbështesim këtë tranzicion në burime të pastra energjie, aq më mirë është. Kjo sepse elektrifikimi, në vetvete, sjell përfitime të mëdha në efikasitetin energjetik”, tha ai.
Duke theksuar se BE-ja do të vazhdojë të përmbushë angazhimet e saj për financimin e klimës, Hoekstra tha se BE-ja, si ofruesja më e madhe e financimit në botë, do t'u qëndrojë besnike zotimeve të marra.





















