Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, dhe homologu kroat, Gordan Gërliq-Radman, kanë diskutuar mbi forcimin e partneritetit strategjik mes dy palëve, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, bashkëpunimin rajonal, si edhe rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi.
Në deklaratën e përbashkët pas takimit, ministri shqiptar Hoxha u shpreh se prej vitit 2018, Shqipëria dhe Kroacia i kanë ngritur marrëdhëniet në nivelin e partneritetit strategjik.
Kryediplomati tha se perspektiva evropiane e vendeve të rajonit, e bazuar në meritë dhe në përmbushjen e standardeve të BE-së, përbën një investim strategjik për të ardhmen e përbashkët.
"Lidhur me situatën dhe zhvillimet në rajon, ndamë vlerësimin e përbashkët se perspektiva evropiane e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, e bazuar në meritë dhe në përmbushjen e standardeve evropiane, përbën një investim strategjik për të ardhmen tonë të përbashkët evropiane. Paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkanin Perëndimor janë jo vetëm një aspiratë politike, por një domosdoshmëri historike dhe një përgjegjësi e përbashkët. Ato mund të ndërtohen vetëm përmes politikave të fqinjësisë së mirë, forcimit të bashkëpunimit bilateral dhe shumëpalësh rajonal, respektit të ndërsjellë, si dhe përmes veprimeve konkrete dhe gjesteve të sinqerta të vullnetit të mirë që krijojnë besim dhe e hapin rrugën drejt pajtimit të qëndrueshëm", deklaroi Hoxha.
Hoxha theksoi ndër të tjera se me homologun kroat e kanë theksuar rëndësinë e veçantë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, sipas tij si një proces i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve.
Radman: Shqipëria ka pritur gjatë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian
Kryediploamti kroat, Gërliq-Radman, theksoi se Shqipëria ka pritur gjatë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian (BE) dhe shtoi se mendon së tashmë është koha.
Ai shtoi se mbyllja e përkohshme e disa kapitujve është një moment i rëndësishëm që konfirmon përkushtimin e vazhdueshëm të Shqipërisë për arritjen e objektivit strategjik për anëtarësimin ne BE.
"Kroacia dhe Shqipëria kultivojnë tradiconliasht marrëdhënie të afërta dhe miqësore të ndërtuara mbi besimin e ndërsjellë, vlerat e përbashkëta dhe aleancën tonë të fortë në kuadër të anëtarësimit të përbashkët në NATO", tha kryediplomati kroat.
Në takim u diskutua edhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, përfshirë partneritetin trepalësh Kroaci-Shqipëri-Kosovë. Palët trajtuan gjithashtu bashkëpunimin policor, menaxhimin e migracionit dhe mbrojtjen e kufijve.
Dy vendet ranë dakord të intensifikojnë marrëdhëniet ekonomike, duke nxitur investimet dhe projektet e përbashkëta në energji, turizëm dhe infrastrukturë. Sesioni i gjashtë i Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunimin Ekonomik pritet të zhvillohet në Tiranë në tetor.
Në fushën e transportit dhe energjisë, palët e synojnë përmirësimin e lidhjeve ajrore dhe detare, si dhe avancimin e projekteve strategjike, përfshirë Korridorin Blu, Korridorin VIII dhe gazsjellësin Adriatiko-Jonian. Ky i fundit pritet të lidhet me gazsjellësin TAP dhe të ndihmojë në gazifikimin e vendeve të rajonit.
Hoxha vlerësoi gjithashtu diasporën shqiptare në Kroaci si një urë të rëndësishme miqësie mes dy vendeve. Ai njoftoi se, duke nisur nga viti akademik 2026-2027, kroatishtja do të ofrohet për herë të parë si gjuhë e huaj me zgjedhje në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.






















