Raport: Pagesat fizike vijojnë të dominojnë në rajon
Indeksi i Forex.se tregon se Shqipëria kryeson rajonin me 90 për qind për pagesa në kesh, ndjekur nga Serbia me 65 për qind, Kosova e BeH me 60 për qind, Sllovenia me 57 për qind, RMV-ja me 55 për qind, Mali i Zi dhe Kroacia me nga 50 për qind.
Rreth 90 për qind e pagesave në Shqipëri vazhdojnë të kryhen me para fizike. Me këtë nivel, siç thuhet në raportin e ri global të Forex.se, vendi renditet i katërti në botë për përdorimin e parave kesh në transaksionet e përditshme për mallra dhe shërbime.
Vend tjetër i rajonit ku përdoren paratë kesh më tepër, sipas këtij raporti, është Serbia, me rreth 65 për qind të pagesave.
Ndërkaq, Kosova rezulton më fleksibël në përdorimin e pagesave elektrike, duke u rënditur e 49-ta globalisht për përdorimin e parave në dorë. Sipas indeksit, 60 për qind e pagesave vijojnë të kryhen ende nëpërmjet parave fizike.
Bosnjë e Hercegovina shfaqet me të njëjtin nivel me Kosovën, me 60 për qind të konsumatorëve që zgjedhin të paguajnë me para në dorë.
Sllovenia rënditet me 57 për qind të pagesave të kryera në dorë, duke e pozicionuar vendin ende të varur nga transaksionet fizike.
Maqedonia e Veriut, ka një balancë më proporcionale mes pagesave elektronike me ato me fizike, me raportin që tregon se 55 për qind e qytetarëve paguajnë me para kesh.
Mali i zi po i afrohet pothuajse një ekonomie pa para fizike, me 50 për qind të shoqërisë që zgjedh transaksionet me dorë. Kroacia ndjek të njëjtin ritëm me malazezët.
Indeksi thekson se përdorimi i lartë i parasë fizike lidhet me faktorë si përfshirja e ulët bankare, akses i kufizuar në internet në zonat rurale dhe mungesa e infrastrukturës së pagesave digjiitale, veçanërisht mungesa e POS-ve për bizneset e vogla.