Franca dhe Gjermania ranë dakord të premten për një qasje të përbashkët për ta siguruar të ardhmen e industrisë automobilistike evropiane, duke bërë thirrje për forcimin e kapaciteteve inovative në të gjithë Bashkimin Evropian.
“Evropa duhet të jetë një kontinent që inovon, investon dhe prodhon, duke e mbrojtur njëkohësisht klimën dhe vendet e punës. Ky është qëllimi i angazhimit tonë dhe parimi udhëheqës i qasjes sonë të përbashkët”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Franca dhe Gjermania ranë dakord për transformimin e sektorit automobilistik, duke i ruajtur njëkohësisht ambiciet e tyre klimatike. Dy vendet synojnë të ulin emetimet e dioksidit të karbonit (CO₂), duke e forcuar aftësinë e Evropës për të zhvilluar dhe prodhuar gjeneratën e ardhshme të automjeteve elektrike.
“Kjo është ajo që nënkupton në praktikë përparësia evropiane: të sigurohemi që kalimi drejt transportit të pastër të shoqërohet me investime, inovacion dhe prodhim në Francë, Gjermani dhe në të gjithë Evropën”, thuhet në deklaratë.
Propozimi franko-gjerman parashikon një paketë gjithëpërfshirëse që ndërthur një plan ambicioz evropian për uljen e emetimeve të karbonit me fleksibilitet rregullator, duke marrë parasysh realitetet e ndryshme të tregut dhe kushtet teknologjike.
Paketa përfshin gjithashtu stimuj për investime, kërkim dhe zhvillim, prodhim evropian dhe zinxhirë furnizimi më të qëndrueshëm.
“Kjo qasje e ekuilibruar do t'i mundësojë Bashkimit Evropian t'i ndjekë objektivat e tij klimatike, duke forcuar njëkohësisht sovranitetin teknologjik, bazën industriale dhe konkurrueshmërinë ndërkombëtare të industrisë së tij automobilistike”, thuhet më tej në deklaratë.
“Objektivi ynë është i qartë: një industri automobilistike evropiane konkurruese, inovative dhe me emetime të reduktuara të karbonit, që prodhon në Evropë dhe krijon vendet e punës të së ardhmes.”
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz e mirëpritën marrëveshjen.
“Shpresojmë që kjo nismë franko-gjermane të çojë sa më shpejt në një marrëveshje me partnerët tanë, në të mirë të vendeve tona të punës dhe industrisë sonë”, tha Macron.
Nga ana e tij, Merz deklaroi se të dyja vendet kanë rënë dakord për një paketë që e garanton “lirinë e zgjedhjes, hapjen ndaj teknologjive të ndryshme dhe respektimin e objektivave klimatike”.
“Ky është një sinjal për investime në industri”, shtoi ai.




















