| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Zonja e parë e Türkiyes e thekson rolin me ndikim të grave në trashëgiminë sociale të botës turke
"Prania e grave në pozita të forta dhe me ndikim në jetën shoqërore nuk është një zhvillim i ri në trashëgiminë e qytetërimeve turke", tha Zonja e Parë e Türkiyes, Emine Erdoğan.
Zonja e parë e Türkiyes e thekson rolin me ndikim të grave në trashëgiminë sociale të botës turke
Zonja e parë e Türkiyes e thekson rolin me ndikim të grave në trashëgiminë sociale të botës turke/ AA

 Prania e grave në pozita të forta dhe me ndikim në jetën shoqërore nuk është një zhvillim i ri në trashëgiminë e qytetërimeve turke, deklaroi sot Zonja e Parë e Türkiyes, Emine Erdoğan.

"Ajo që duhet të bëjmë është ta shndërrojmë këtë përvojë në një këndvështrim unik për botën turke, e cila është në harmoni me ndjeshmëritë kulturore, prioritetet dhe realitetet shoqërore të shoqërive tona", tha Erdoğan në takimin e parë të Këshillit të Lartë të Nderit të Këshillit për Familjen dhe Gratë, të mbajtur në kryeqytetin turk, Ankara.

Takimi i organizuar nga Emine Erdoğan mblodhi bashkëshortet e liderëve që ndodhen në Ankara për Samitin e 13-të të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Shteteve Turke si dhe ministren turke të Familjes dhe Shërbimeve Sociale, Mahinur Ozdemir Goktas, së bashku me përfaqësues të lartë nga vendet anëtare.

Qëllimi i takimit ishte shndërrimi i angazhimit të përbashkët ndaj çështjeve që lidhen me familjen dhe gratë në mbarë botën turke, në një bashkëpunim afatgjatë. Duke iu drejtuar të pranishmëve, Emine Erdoğan u shpreh: "Synojmë ta bëjmë këshillin tonë një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi. Sot, së bashku me ju, kemi hedhur hapat e parë drejt themelimit të këtij këshilli këtu në Ankara".

"Shpresoj se takimin e parë zyrtar të këshillit do ta zhvillojmë vitin e ardhshëm, gjatë Samitit të 14-të të Organizatës së Shteteve Turke në Uzbekistan, nën mikpritjen e motrës sime të dashur, Ziroat Mirziyoyeva, bashkëshortes së Presidentit të Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev", shtoi ajo.

Më vonë sot, Emine Erdoğan ndau një postim lidhur me takimin në platformën turke të rrjeteve sociale, NSosyal. "Me hedhjen e hapit të parë drejt themelimit të këshillit tonë, synojmë t'i bashkojmë përpjekjet tona për fuqizimin e familjeve dhe grave në një platformë të përbashkët", tha ajo.

"Besojmë se ruajtja e forcës së familjeve të cilat përbëjnë kështjellën e padukshme të shoqërive tona mund të arrihet duke mbështetur gratë në çdo sferë të jetës", theksoi ajo më tej.

"Duke u nisur nga ky këndvështrim, ne i kushtojmë rëndësi shfrytëzimit të përvojës së vendeve tona dhe gjetjes së zgjidhjeve për sfidat me të cilat përballemi, përmes mençurisë kolektive", deklaroi Zonja e Parë e Türkiyes. Ajo e shprehu shpresën se ky këshill do ta forcojë bashkëpunimin në fushën e familjes dhe grave në mbarë botën turke si dhe do të thellojë më tej lidhjet e tyre të vëllazërisë.