| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
I mbijetuari i grushtit të shtetit në Türkiye jeton me 20 copëza shrapneli një dekadë pas sulmit
Abdurrahman Kafkas u plagos nga zjarri me helikopter në Ankara ndërsa përpiqej të ndalonte tanket gjatë përpjekjes së mposhtur për grusht shteti të vitit 2016.
I mbijetuari i grushtit të shtetit në Türkiye jeton me 20 copëza shrapneli një dekadë pas sulmit
I mbijetuari i grushtit të shtetit në Türkiye jeton me 20 copëza shrapneli një dekadë pas sulmit

Një i mbijetuar i tentativës së dështuar për grusht shteti në Türkiye në vitin 2016 ka jetuar gjatë 10 viteve të fundit me 20 copëza predhash në trup, pasi u plagos nga zjarri i një helikopteri pranë Kompleksit Presidencial në Ankara.

Abdurrahman Kafkas, 33 vjeç, ndodhej për vizitë te vëllai i tij në kryeqytetin turk kur mori vesh lajmin për tentativën e grushtit të shtetit.

Dy vëllezërit fillimisht shkuan në selinë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), në pushtet, për t’iu bashkuar më pas turmës që po lëvizte drejt Kompleksit Presidencial për t’u përballur me tanket.

“Ishte një ndjenjë e çuditshme, një atmosferë krejt ndryshe”, tha Kafkas për Anadolu. Ai shtoi se policia e paralajmëroi turmën se po hynte në një zonë të rrezikshme, por njerëzit vazhduan përpara.

Pasi arritën pranë mjeteve të blinduara rreth orës 00:45 me orën lokale, ata valëvitën flamujt turq dhe brohoritën, ndërsa ushtarët qëllonin në ajër për t’i mbajtur larg.

Teksa po filmonte skenën me telefonin e tij, Kafkas tha se një helikopter hapi zjarr mbi turmën. Fillimisht nuk e kuptoi se ishte goditur, por shpejt humbi ndjeshmërinë në këmbë dhe pa gjakun që po rridhte ndërsa përpiqej të përdorte telefonin.

Një civil tjetër përdori këmishën e Kafkasit për t’i bërë presion një plage të madhe në këmbën e majtë dhe më pas e transportoi në një vend tësigurt. Më pas, drejtuesit e automjeteve që kalonin aty e dërguan në spital.

Mjekët gjetën 22 copëza predhash në trupin e tij. Dy prej tyre u hoqën nga këmba pasi do ta pengonin të ecte, ndërsa 20 të tjera vazhdojnë të mbeten në trup.

Kafkas, i cili jeton në provincën veriperëndimore të Bursës, tha se i konsideron këto copëza si “medalje nderi” dhe nuk ankohet për gjendjen e tij, duke kujtuar ata që humbën jetën ose mbetën me plagë edhe më të rënda.

“Dhimbja e asaj nate mbetet ende e freskët për ata që e përjetuan, sikur të kishte ndodhur dje”, tha ai.

Një fraksion i ushtrisë turke i lidhur me Organizatën Terroriste Fetullahiste (FETO) tentoi të merrte pushtetin më 15 korrik 2016, duke përdorur tanke, avionë luftarakë dhe helikopterë kundër civilëve dhe institucioneve shtetërore. Nga tentativa mbetën të vrarë 253 persona dhe mijëra të tjerë u plagosën.

Kafkas tani ua rrëfen përvojën e tij brezave të rinj, duke theksuar se ato ngjarje nuk janë thjesht skena dokumentarësh dhe se të mbijetuarit janë ende gjallë për të dëshmuar atë që ndodhi.

“Qëllimi ynë është të ecim përpara duke mësuar nga e kaluara”, tha ai.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë